Hetimet për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi duket se kanë marrë tjetër kthesë.
Sipas burimeve, 44-vjeçari, trupi i të cilit u gjet i pajetë anash rrugës në fshatin Salari të Tepelenës pak pas mesnatës së të premtes (27 Shtator), ka marrë vetëm një plumb në kokë.
Ndërkohë në polici është shoqëruar edhe Gazment Braçe, djali i ortakut të viktimës në fabrikën e tullave “Tegola Edil Centro” në kryeqytet, i cili ndodhej në vendin e krimit, por që ishte larguar.
Shkak i vrasjes paraprakisht dyshohen mosmarrëveshjet mes dy ortakëve, biznesmenit italian Edoardo Sarchi, si edhe shtetasit Eqerem Braçe, gjithashtu i shoqëruar nga policia.
Raportohet se baba e bir, Eqerem dhe Gazment Braçe, jetonin në Tiranë, ndërsa në fshatin ku ndodhi krimi kishin në banesë të cilën e kishin restauruar dhe ktheheshin herë pas here për të qëndruar.
Dëshmia e ortakut
Sipas burimeve, viktima kishte për gjah së bashku me 3 persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij Eqerem Braçe dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe.
Raportohet se ata kanë udhëtuar drejt vendit ku ndodhi ngjarja me dy makina, një mjet tip Land Rover dhe një Volskwagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia.
Ka qenë ortaku i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për vrasjen e 44-vjeçarit italian, i cili banonte në Tiranë prej 20 vitesh.
Në versionin e tij të dhënë për policinë, ka deklaruar se një person i ka dalë para automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Ai është shprehur se ka tentuar t’i japë ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga automjeti dhe më pas ka njoftuar policinë.
Sipas tij, personi që i ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur, dhe për shkak të errësirës s’ka mundur ta identifikojë.
Kjo dyshohet se është arsyeja se pse trupi i pajetë i 44-vjeçarit italian ndodhej jashtë makinës, sipas dëshmisë së dhënë nga Eqerem Braçe.
Përveç Eqerem Braçe dhe djalit të tij edhe një person tjetër i shoqëruar nga policia, identiteti i të cilit s’dihet ende, si edhe raporti që ka pasur me dy ortakët.
Njoftimi i policisë:
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.