Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krmit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për ish-shefin e qarkullimit rrugor, Roven Zeka dhe të tjerët që u akuzuan se morën 2 mijë euro nga një biznesmen për të mos i arrestuar bashkëshorten e tij, e cila kishte shkaktuar aksident.
Ish shefi i Rrugores, Roven Zeka u shpall i pafajshëm për korrupsion pasiv nga gjykata me argumentin se nuk provohet se e ka kryer veprën penale.
Ndërkohë oficeri i OPGJ-së, Edison Tabaku është dënuar me tre vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai do të bëjë dy vite burg. Sokol Navaku, ish shefi i hetimit të aksidenteve, u dënua me 3 vite burg, ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar, iu ul në 2 vite burg. Megjithatë, ai nuk do ta kryejë burgun për shkak se dënimi i konvertohet në shërbim prove.
Ernest Vrioni, që i dha shumën e parave Edison Tabakut për të fshehur aksidentin, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, të cilit iu ul në 1 vit në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Edhe këtij, gjykata ia konvertoi dënimin në 2 vite shërbim prove.
Ndërsa Bledi Belba u shpall fajtor për moskallëzim krimi dhe u dënua me 1 vit burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj. Por as ky nuk do të shkojë në qeli pasi dënimi i konvertohet në shërbim prove.
DOSJA HETIMORE
Hetimet u lidhën me një aksident rrugor të ndodhur më datë 16 prill 2025 në Tiranë. Në aksident u përfshinë dy automjete, njëri i drejtuar nga shtetasja Anisa Vrioni, e cila u shoqërua në komisariat por më pas u la e lirë. Hetimet u kryen nga oficeri i OPGJ-së Edison Tabaku, i cili kishte njohje me bashkëshortin e saj, Ergest Vrioni.
Sipas hetimeve, Tabaku, në bashkëpunim me eprorët e tij Roven Zeka dhe Sokol Novaku, ka kërkuar dhe marrë 200 mijë lekë nga Ergest Vrioni për të mos arrestuar bashkëshorten e tij, ndërsa Bledi Belba ka ndërhyrë pranë Roven Zekës dhe i ka dhënë Ergestit 1000 euro për t’ia kaluar të pandehurve me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.


