Një sherr për 700 mijë euro dyshohet se qëndron pas vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, krim i ndodhur mbrëmjen e 30 Nëntorit pranë karburantit të viktimës në Elbasan.
Sipas burimeve, rreth 10 ditë para ekzekutimit ka ndodhur një përplasje fizike mes Oklid El Ouejdi dhe biznesmenit në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”.
Dokumentet zyrtare tregojnë se prej janarit 2018, El Ouejdi ka të regjistruar në Elbasan biznesin e import–eksportit dhe tregtimit të automjeteve “SOLEIL”. Pikërisht marrëdhëniet tregtare të lidhura përmes kësaj veprimtarie mendohet se kanë qenë shkaku i konfliktit me Mondi Mëhallën.
Raportohet se viktima, i revoltuar për mosrealizimin e një marrëveshjeje tregtare me vlerë 700 mijë euro, ka ushtruar dhunë ndaj 35 vjeçarit, me origjinë nga Elbasani por me emër të ngjashëm me atë arab.
Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”, në atë moment mësohet se ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, në momentin që u dhunua nga Mondi Mëhalla.
Në pamundësi për të shlyer detyrimin, “Kiço” dyshohet se kishte ofruar si kompensim 4 apartamente në Tiranë, por me probleme pronësie, gjë që ka shtuar tensionin mes tyre.
Burimet theksojnë se pas konfliktit fizik, El Ouejdi dyshohet se ka marrë masa për të organizuar eliminimin e biznesmenit. Ai dyshohet si personi që mund të ketë porositur dhe financuar vrasjen që ndodhi vetëm 10 ditë pas incidentit te “Xhaxhi Oil”.
Kush është 35-vjeçari
Oklid El Ouejdi, 35 vjeç, me origjinë nga Elbasani por me emër të ngjashëm me atë arab, njihet në qytet me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”. Ai është gjithashtu si nipi i personazhit të njohur “Timit të Elbasanit”.
Nga të dhënat zyrtare, rezulton se El Ouejdi është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut.
Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime. Ndërsa vendndodhja e tij aktuale nuk është i konfirmuar, megjithëse dyshohet se qëndron në Maqedoninë e Veriut, ku ka rreth të gjerë njohjesh, përfshirë edhe Sheval Muharremin, i njohur si “Bosi i Gërçecit”.
Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën Hyka dhe mik i ngushtë i Kei Piut, u ekzekutua me dy plumba në kokë, në një atentat të kryer me profesionalizëm, ndërsa autorët dogjën më pas makinën tip “Audi”.


