Qyteti i Shkodrës u trondit këtë mëngjes nga dy shpërthime të njëpasnjëshme në dy zona të ndryshme të qytetit.
Shpërthimet e forta, janë dëgjuar në të gjithë qytetin, ndërsa raportohet se në fokus kanë qenë dy objekte në pronësi të emrave të njohur të këtij qyteti, përkatësisht, një biznes pranë pedonales së qytetit, në pronësi të ish-kandidatit për kryetar bashkie, Xhemal Bushati, ndërsa objekti tjetër është një supermarmet në emër të familjes Lici.
Nga shpërthimet janë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë emër apo të dyshuar në lidhje me këto ngjarje, ndërsa policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për zbardhjen e autorëve, duke sekuestruar kamerat e bizneseve.

Njoftimi i Policisë Shkodër
“Informacion paraprak/ Rreth orës 02:20, në derën e supermarketit në pronësi të shtetasit F.M. në lagjen ” Kongresi i Permetit” si dhe në derën e një biznesi tjetër privat butik rrobash në pronësi të shtetasit Xh.B. në lagjen “Vasil Shanto”, është vendosur lëndë plasëse dhe si pasojë e shpërthimit të tyre kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet duke administruar çdo provë dhe duke vlerësuar çdo informacion, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”



