Mbetet ende mister vrasja e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, origjinë nga Beçishti i Tepelenës. I riu shqiptar u qëllua me armë zjarri përpara se trupit të tij t’i vendosej flaka brenda një automjeti, që u gjet i shkrumbuar nga flakët në Skourta të Greqisë, (Beoti).
Lidhja jashtëmartesore që ai kishte krijuar me një vajzë, me të cilën komunikonte në rrjetet sociale, është një nga pistat e hetimit, pasi mësohet se ishte kërcënuar nga ish-partneri i saj, raportojnë mediat greke.
Tezja e viktimës ka deklaruar se i vetmi person me të cilin 27-vjeçari kishte konflikte ishte një shtetas grek, ish i dashuri i vajzës me të cilin Sulo Halili kishte krijuar një romancë.
Por, mënyra se si u vra shqiptari tregon se krimi është kryer nga njerëz që e planifikuan eliminimin e tij prej një kohe të gjitha, e mbi të gjitha e dinin se çfarë duhet të bënin për të mbuluar gjurmët.
27-vjeçari, punëtor ndërtimi dhe banues në Halkida, përpara se të zhdukej u kishte thënë të afërmve se do të shkonte në Tebë me një mik.
Sipas informacioneve, ai e la mikun e tij në Tebë dhe i tha këtij të fundit se do të shkonte në Vilia të Atikës për një punë. Atje, dy ditë pas zhdukjes së tij, makina e 27-vjeçarit u gjet e braktisur.
27-vjeçari ishte i martuar dhe madje e telefonoi gruan e tij kur mbërriti në vendngjarje për ta njoftuar.
Sipas raportit mjeko-ligjor, viktima u qëllua të paktën me një plumb, përpara se trupi i tij të digjej brenda makinës.
Vrasësit raportohet se nuk lanë asnjë gjurmë pas. Ata përdorën një makinë të vjedhur me targa të rreme që korrespondonin me një automjet identik.
Të afërmit e viktimës pritet të dëshmojnë për gjithçka që dinë dhe dyshojnë në lidhje me vrasjen brutale.


