Vdekja e 52-vjeçares Kozeta Teço, e gjetur pa shenja jete në banesën e saj të përfshirë nga flakët në Pogradec, po hetohet si ngjarje kriminale, ndërsa pista kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm për pronën.
Një nga fqinjët e viktimës, duke folur për “News 24”, tha se ajo ishte një grua e qetë që jetonte e vetme, ndërsa zbuloi se një ditë më parë ishte vizituar nga e motra që banon në Tiranë.
“Ishte shumë njeri i mirë. Jetonte vetëm. Unë dola nga shtëpia në orën 4:30 të mëngjesit për të shkuar në Maqedoni dhe nuk pashë asgjë. Tani mora vesh çfarë ka ndodhur. Dje ishte e motra këtu, por ajo jeton në Tiranë,” – tha fqinji.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se zjarri është vendosur me qëllim për të fshehur gjurmët e një vrasjeje. Ekspertiza mjeko-ligjore ka evidentuar shenja dhune në trupin e viktimës, duke përforcuar dyshimet se ajo është vrarë përpara se banesa të digjej.
Në vendngjarje janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të dy objekteve pranë pallatit ku ndodhej banesa e 52-vjeçares, ndërsa disa persona janë shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje.
Hetimet po përqendrohen te një konflikt i mundshëm për motive pronësie, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.