Shkruan: Latif MUSTAFA
Emocione të përziera, imazhe të vagullta dhe ndjenja të turbullta vazhdojnë të na shoqërojnë gjersa ecim pezul mbi litar, si një akrobat duke e shtrënguar vëngër shkopin e baraspeshës, ku në njërën anë rëndon paniku dhe, në anën tjetër, kënaqësia e një vikendi të stërzgjatur. Pandemia e virusit është bërë aq e fuqishme dhe depërtuese përmes pushtetit dhe nomenklaturës represive të shtetit si formacion, saqë është fshirë në tërësi demarkacioni në mes virtuales, reales dhe fiktives. Qenia njerëzore, për nga natyra e saj, refuzon çdo represion psikologjik për ta parë realitetin ashtu siç nuk është, por qoftë edhe aksidentalisht ajo mbetet e zhubravitur nga imazhet fiktive dhe plastike të manipulimit dhe, herët a vonë, bie pre e idhujve që i krijon me duart e tij. Zhytja në pandeminë e panikut dhe një bote fiktive, ditë e më tepër, i përshkallëzon dritëhijet në formë të mirazhit për një botë ideale, për një botë që kurrë më nuk do të jetë.
“Covid-19 po riformëson botën” është shprehja më standarde që e dëgjojmë ditëve të fundit. Në fakt, në një gjuhë standarde të përditshme, bota është imazhi i një globi të lëndës së gjeografisë, kurse në një gjuhë sublime të kuptimit intelektual, bota është pamja, përfytyrimi dhe konceptimi mendor i jetës, njeriut dhe universit. Krijimi i distancës fizike, pashmangshmërisht, ka krijuar qendërzimin dhe dorëzimin e vullnetshëm të qenies sonë ndaj një rrjeti virtual, i cili tashmë e kontrollon jetën tonë, i determinon shijet tona dhe i ndryshon botëkuptimet tona brenda disa koncepteve të ngurrëta e të burgosura në imazhe gri elektronike. Në fakt, Covid-19 e shfaqi brishtësinë tonë, duke na e zhveshur edhe një herë velon e hipokrizisë drejt një mbulese tjetër më indiferente sesa hipokrite. Thellë në ndërgjegjen tonë, shprehja “riformësimi i botës”, në vend që të nënkuptojë se do të ndërtojmë një botë të eklipsuar nga bindja se asgjë nuk e është e paprekshme në këtë univers dhe se transcendenca është e gjallë, ajo nënkupton garimin e fuqive të mëdha në prodhimin e teknologjisë së survejimit dhe kontrollit total të qenieve njerëzore.
Mesazhi për një botë ndryshe tashmë ka krijuar paranojën dhe drithërimat e një “pandemie” recesioni ekonomik, lëkundje regjimesh politike, trazira botërore dhe, mbi të gjitha, një krizë globale të urisë. Por, të gjitha këto mbeten konkluzione të bazuara mbi premisa më tepër hipotetike dhe historiciste, megjithatë ethet e një imazhi të një bote plotë uri dhe trazira politike, i argumenton rrëfimet apokaliptike. Teoritë dekonstruktive për një konspirim botërorë, sado që largmendsh të duken, debati publik dominohet nga narracionet se si fuqitë e mëdha dëshirojnë të ndërtojnë një rend të ri botëror dhe se si institucionet tona përpiqen që ta fryjnë numrin e të infektuarve dhe të vdekurve nga virusi vetëm e vetëm që të përfitojnë nga fondet e ndara ndërkombëtare. Ditët më të vështira mbeten për t’u parë. Muaji i Ramazanit është në prag. Masat restriktive do të ashpërsohen. Dy gjëra na presin: ose çmenduria totale me përmasa violente ose dorëzim i plotë në hirësinë e Zotit të gjithëfuqishëm.
Njeriu është pasojë e vendimeve të veta, kurse njerëzimi është pasojë empatisë reciproke kolektive. Empatia kolektive po dominohet nga shtrembërimi i imponimit të rrejshëm të idhujve tokësorë. Idhujt e kësaj bote, të zhgënjyer dhe të plandosur nga fragjiliteti i tyre, përpiqen me mish e me shpirt që ta ndrydhin sentimentin për një botëkuptim më transcendental për Zotin. Ata vazhdojnë tutje përmes teknologjisë dhe diktaturës së imazhit që ta shtypin dhe ndrydhin natyrshmërinë e qenieve të lira njerëzore drejt një mirazhi të një bote ideale, e cila, gjoja, nuk mund të përbrendësohet pa lejen e tyre. Ëndrra e një bote ideale, tanimë si mirazh, po tretet nën diktaturën e panopticon-it, syrit gjithëvëzhgues. Mbi të gjitha, në një gjë nuk duhet dyshuar: herët a vonë, ëndrrat tona do të bëhen sihariqi dhe shtegrrëfyesi më i ndritur i trajektores sonë historike, ngaqë ato në vete janë profetike dhe e shembin diktatin e vegimeve të llahtarshme.