Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas fitores 4 me 2 të Kombëtares shqiptare përball Jordanisë, në ndeshjen miqësore të mbajtur sot në “Air Albania”.
Kreu i qeverisë ka publikuar momente nga ndeshja e kuqezinjve, ndërsa shkruan se edhe pse një ndeshje miqësore, Shqipëria e ka gëzuar.
“Miqësore miqësore, po kjo Shqipëri të gëzon”, ka shkruar Rama.
Shqipëria e mbylli me një fitore bindëse 4-2 miqësoren ndaj Jordanisë, me një pjesë të dytë shumë argëtuese.
Në të parën, kuqezinjtë dhuruan pak në fazën ofensive dhe barazimi 1-1 në fund të 45 minutave ishte për shkak të një autogoli të miqve dhe dy pritjeve vendimtare të Dajsinanit.
Por në fraksionin e dytë të lojës, zëvendësimet në radhët e kuqezinjve sollën menjëherë edhe ndërrim marshi, pasi Broja, Hoxha e Bajrami shënuan tre herë brenda pak minutash dhe orientuan ekipin drejt këtij suksesi, që nuk u prish nga një gol i dytë i miqve në minutat e fundit.