Inxhinieri Romeo Nazarko, deklaroi sot në studion e “News 24”, se shumica e rrugëve dhe veçanërisht Tuneli i Murrizit, duke marrë shkas nga ngjarja e fundit ku vepra u dëmtua dhe pësoi çarje serioze, jo vetëm janë bërë me tenderë fiktivë, por edhe për efekte elektorale nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, e drejtuar nga Belinda Balluku.
Ai nënvizoi se gjithashtu bëhen vepra të pakolauduara, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe në veçanti theksoi se duhet që të mbahet përgjegjësi konkrete.
I pyetur për shkaqet e prishjes së rrugëve të reja të ndërtuara, duke përfshirë problematikat te Tuneli i Llogarasë, “rruga e florinjtë” 260 mln euro Qukës-Qafë-Plloçë apo së fundmi rruga e Librazhdit, Nazarko tha se shkak është dora e njeriut, mungesa e projekteve serioze, mungesa e studimeve inxhinierike dhe zbatimi me cilësi të dobët, me qëllime politike apo dhe përfitimi.
“Ministria ka mbyllur të gjitha urat e komunikimit për të analizuar kështu dhe situatën. Nga ajo që shohim, përbën rrezik. Eksperti grek tha se; mungon çeliku, apo dhe elementëve të tjerë, që projektuesve u duken elementare, sjellin këto pasoja. Kemi shembuj për ndërtimet e tuneleve, siç është ai i Kalimashit, apo dhe në atë të Elbasan-Tiranë. Në momentin kur bëhet tuneli, bëhen dhe monitorime. Por këto janë bërë shpejt e shpejt, për efekte elektorale. Tenderët bëhen fiktivë. Tuneli është hapur pa akte kolaudimi. Sigurisht duhet të mbahet përgjegjësi”, u shpreh ai.
Nazarko paralajmëroi se rrëshqitje të tjera mund të ndodhin në rrugët e reja, nëse nuk merren masa parandaluese.
Sipas tij, “në segmente të tilla të vështira nuk ka mundësi për ndërtimin e by-pass-eve alternative, pasi zona kufizohet nga lumenj, si në Librazhd, gjë që e bën edhe më të domosdoshëm monitorimin dhe ndërhyrjen profesionale”.
Nazarko kritikoi gjithashtu mënyrën e zbatimit të projekteve infrastrukturore, duke nënvizuar se kompanitë ndërtuese shpesh nuk marrin masat e nevojshme për stabilizimin e terrenit.
“Ujërat nëntokësore nuk janë faktori kryesor i kësaj shembjeje. Këtu jemi në një situatë ku po rrëshqet shkëmbi, si pasojë e ndërhyrjeve njerëzore dhe mungesës së masave teknike”, tha ai.
Nazarko shpjegoi edhe fenomenin abuziv të mungesës së përgjegjësisë në zbatimin e punimeve dhe të studimeve inxhinierike në veprat e mëdha.
“Vihet re një rrëshqitje në rrugën Prrenjas-Librazhd. Kreu i ARRSH ngriti pretendimin se për shkak të ujërave nëntokësore ndodhi kjo rrëshqitje. Ky fenomen ndodh çdo vit, por kjo nuk ishte e tillë. Ishte një rrëshqitje e provokuar dhe nga dora e njeriut. Normale është të ndodh kjo situatë, pasi për shkak të punimeve që po ndodhin në korridorin e 8, dora e njeriut ka shkaktuar dhe këto provokime. A do të ketë provokime të tjera? Edhe mund të ketë. Rruga e korridorit 8 kalon afër gjurmës së rrugës së vjetër. Nuk parashikohet fenomeni i rrëshqitjes, por a bëhet monitorimi i këtyre skarpateve? A kemi monitorim të tyre apo i kemi lënë në rrjedhë të lirë që kur të rrëshqasin do të ndërhyjmë. Kur bëhet ndërtim, bëhet pilotim në të gjithë zonën që të shmangen rrëshqitjet. Nuk është se ka dëshirë ndërtuesi që të hedhë lekë në tokë”.
Por problematika kryesore sipas tij, janë tenderimet fiktive që bëhen dhe punimet pa cilësi.
“E njëjta gjë ndodh dhe me rrugët. Konstatohet që një segment është i rrezikshëm, merren masa. Ai segment është i vështirë, që nuk ndërton dot dhe një by-pass tjetër rruge, pasi është lumi dhe nuk të jem mundësi. Është luks për vendin tonë ku një ministër ndan tendera fiktivë, dhe nuk ishin marrë masa. Se kompania duket që nuk ka marrë masa. Ujërat nëntokësor nuk janë faktorët kryesorë që pati shembje, pasi është e provokuar. Jemi në situatën kur rreshket shkëmbi”, u shpreh inxhinieri.


