Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 13 vatra zjarri. Gjashtë prej tyre janë shuar plotësisht, ndërsa shtatë mbeten aktive në disa qarqe të vendit, ku vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri.
Situata sipas qarqeve:
• Vlorë – Në Navaricë, flakët janë zhvendosur në mal mbi fshat; në Leshnicë të Poshtme, ndërhyrja ajrore ka shmangur rrezikun për banesat. Përveç helikopterit të Forcës Ajrore, po operojnë edhe dy avionë suedezë Fireboss me 44 hedhje uji. Në Tragjas (Orikum) zjarri po mbahet nën kontroll nga 20 efektivë në terren.
• Fier – Në Lofkënd (Mallakastër) po luftohen dy vatra në terren të vështirë, me ndihmën e avionit kroat Canadair.
• Lezhë – Në Malaj Epërm (Mirditë) po digjen rreth 10 hektarë pyje me pisha dhe lis. Në terren ndodhen 33 forca vendore duke krijuar breza mbrojtës; nuk rrezikohen banesat.
• Dibër – Në Malin e Allushit (Klos) një vatër e riaktivizuar është nën kontroll.
• Elbasan – Në Lleshaj (Gramsh) zjarri është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
• Tiranë – Në malin e Bërzhitës, 15 forca të MZSH-së po punojnë për shuarjen e flakëve në një sipërfaqe me bimësi të dendur, pa rrezik për banesat.
Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes maksimal dhe bashkëpunim nga banorët për të parandaluar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën.