Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paraqitur rekomandimet për vitin 2026 drejtuar prokurorëve dhe drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke vënë theksin te sfidat e reja të kriminalitetit modern.
Gjatë deklaratës së tij, Gogu u ndal veçanërisht te krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit, duke theksuar se ai ka evoluar me shpejtësi dhe përdor metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Sipas tij, pastrimi i parave po kryhet gjithnjë e më shpesh përmes kriptomonedhave, mashtrimet organizohen online, ndërsa infrastruktura publike dhe institucionet po përballen me sulme dixhitale.
“Krimi kibernetike dhe format e reja të kriminalitetit. Ju jeni dëshmitarë sepse jeni luftëtarë të ballit të luftës ku keni dëshmuar se kriminaliteti ka evoluar me shpejtësi të pazakontë. Pastrimi i parave bëhet në kripto valuta, mashtrimi organizohet online, infrastrukturat publike sulmohen dixhitalisht, grupet kriminale përdorin teknika më të sofistikuara komunikimi dhe pastrimi duke vepruar në shumë juridiksione. Ndaj në rekomandimet e 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë, investime teknologjike dhe trajnime të vazhdueshme.
kriminaliteti rrugor. Drejtimi në gjendje të dehur, nën ndikimin e narkotikëve, pa leje drejtimi janë vepra me ndikim të drejtpërdrejtë te siguria publike dhe jeta e qytetarëve. Ndaj në rekomandimet e 2026 duhet të trajtohet me fokus të shtuar. Është një fushë ku ju dhe policia e ndani barrën.
Prioritet e tjera mbeten konstante, janë prioritete që i kemi pasur në 2025, sic i përmenda, hetimet financiare paralele, rritja e konfiskime përfundimtare, drejtësia për të mitur, bashkëpunimi me Europol, hetimi i dhunës dhe intimidimit fizik ndaj profesionistëve të medias”, tha ministri i Drejtesise.


