Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka kërcënuar se “Teherani do të digjet” nëse Irani vazhdon të lëshojë raketa në territorin izraelit, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës izraelite The Times of Israel, komentet e ministrit izraelit gjatë një vlerësimi të nivelit të lartë të sigurisë, ku morën pjesë shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, drejtori i Mossad-it, David Barnea dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë.
“Diktatori iranian po i shndërron qytetarët e Iranit në pengje dhe po kërkon një realitet në të cilin ata, veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të lartë për sulmin kriminal ndaj civilëve izraelitë”, tha Katz, duke iu referuar udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
“Nëse Khamenei vazhdon të lëshojë raketa në frontin e brendshëm izraelit, Teherani do të digjet”, tha Katz.
Më herët, shefi i Shtabit të Izraelit, Eyal Zamir dhe komandanti i Forcave Ajrore, Tomer Bar, thanë se “rruga drejt Iranit është e hapur”, duke njoftuar sulme të reja ajrore në kryeqytetin Teheran. Sipas planeve, theksuan ata, aeroplanët e Forcave Ajrore Izraelite do të godasin objektiva në Teheran.
Izraeli nisi një sulm ajror në shkallë të gjerë kundër Iranit të premten herët, duke shënjestruar lokacionet bërthamore dhe bazat e raketave, si dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Më vonë në mbrëmje, Irani u kundërpërgjigj me një seri sulmesh me raketa dhe dronë. Mediat izraelite raportuan se sulmet vranë të paktën tre izraelitë dhe plagosën 172 të tjerë.