Në dhjetor 2024, pesë muaj pas emërimit për herë të parë në detyrë, ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një tender me vlerë kontrate 460 milionë lekë për auditimin e fondeve bujqësore “IPARD II” që BE dërgoi në Shqipëri gjatë viteve 2017–2021.
Ky auditim, që zhvillohej paralelisht me hetimin nga SPAK, u paraqit si proces verifikimi financiar për fondet e BE. Sipas pretendimeve, ai synonte të provonte se qeveria dhe ish-drejtoresha Frida Krifca nuk kishin abuzuar me fondet IPARD II.
Sipas të dhënave të publikuara, auditimi kishte afat 165 ditë dhe u përfundua e u dorëzua si raport në shtator 2025. Raporti nuk evidentoi abuzime financiare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural në përdorimin e fondeve IPARD II.
Kompania gjermane u përzgjodh me një ofertë rreth 100 milionë lekë më të lartë se oferta më e ulët në garë. Sipas pretendimeve të ngritura publikisht, kjo përzgjedhje lidhet me marrëdhënie pune me kompaninë private audituese “BDO Albania” sh.p.k.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Petrit Malaj ka qenë administrator i kompanisë “BDO Albania” sh.p.k. deri para emërimit si ministër i Financave. Aktualisht, pronarë të kompanisë rezultojnë Limos Malaj dhe Besjana Doda, babai dhe motra e ministrit.
Sipas pretendimeve, “BDO Albania” sh.p.k. është përfshirë si konsulente e kompanisë gjermane “FTI Consulting Germany GmbH” në auditimin e fondeve IPARD II.
Prej një viti, kompania “BDO Albania” sh.p.k. ushtron aktivitet edhe si konsulente e jashtme për auditime të brendshme në institucione qendrore, bashki, ente publike dhe shoqëri ekonomike me kapital shtetëror.
Më 23 korrik 2025, ministri Petrit Malaj nxori Urdhrin nr. 103, që rregullon angazhimin e kompanive private në auditimet e brendshme të institucioneve dhe enteve publike.
Raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe disa çështje në hetim nga prokuroritë e zonave dhe SPAK kanë evidentuar problematika në auditimet e brendshme në institucione dhe bashki.
Në dosjen e SPAK për Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, përmendet edhe kompania “BDO Albania” sh.p.k. në lidhje me miratimin e bilanceve për ndërtimet në ish-kompleksin “Partizani”.//Pamfleti


