Transmetuesi publik i Austrisë, “Zeit im Bild”, ka raportuar për përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër politikave të kryeministrit Edi Rama.
Sipas raportimit, përpara selisë së qeverisë, protestës së thirrur nga kreu i opozitës dhe Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bashkuan qindra mijëra qytetarë, të cilët brohorisnin thirrjen “bashkë për të rrëzuar këtë qeveri”.
Gjatë demonstratës, policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve, ndërsa një pjesë e tyre tentuan të thyenin kordonin policor përpara Parlamentit, duke hedhur gurë në drejtim të efektivëve dhe, në disa raste, edhe duke kthyer mbrapsht bombolat e gazit lotsjellës.
Për shpërndarjen e turmës, forcat e rendit përdorën gjithashtu topa uji, në kombinim me gaz lotsjellës, raporton media austriake.


