Një nga rastet flagrante të falsifikimit të pronave në bregdet, u publikua këtë të martë në emisionin “Në Shënjestër”, dhe i referohet personave Vlash dhe Gjon Brahja nga Biza, të cilët u përdorën nga grupi kriminal i “Rrumit”.
Vlash Brahja dhe babai i tij Gjoni, jo vetëm u bënë me tokë, kur nuk e kishin një të tillë, por përfituan rreth 20 mijë metra katrorë.
Në dosjen hetimore thuhet se Vlash Brahja, i biri i Gjonit ka të regjistruar në emrin e tij pasurinë nr. 67/4, me sipërfaqe 24 000 m2, për të cilën ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni dhe se nuk mund të përfitonte nga ligji tokë bujqësore.
Ndërkohë që shtetasi Gjon Brahja përmendet gjatë bisedave në Sky Eç midis Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës si edhe një personi me emrin Viktor në lidhje me hapjen e një procesi gjyqësor për kthimin dhe kompensimin e pronave, në favor të Gjon Brahjas. Pasuri të ndodhura në fshatin Bizë, Durrës.
I pyetur nga grupi hetues Gjon Brahja deklaroi se kishte pajtuar një avokat, të cilit i kishte dhënë 5 mijë euro, për të ndjekur në rrugë gjyqësore çëshjten e një prone që kishte trashëguar nga babai i tij.
Ai tha më tej se bashkë me avokatin ishin drejtuar për në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ku kishte tërhequr dokumentet e pronës, që vite më parë i kishte dorëzuar babai i tij.
Por Gjon Brahja nuk dinte të thonte se ku ishte vendndodhja e pronës së tij dhe sa ishte sipërfaqja.
Ndërsa nga hetimi i mëtejshëm rezultoi se e gjitha ishte një skemë mafioze e përvetësimit të një prone me anë të një personi fiktiv, në këtë rast babë e bir, Vlash dhe Gjon Brahja, nga ana e Aleksandër Lahos.
Por janë pikërisht bisedat e kryera në Sky Ecc midis ‘Rumit’ dhe një personi me emrin Viktor ku del në pah bashkëpunimi midis tyre si edhe implikimi i babë e bir në këtë aferë të tjetërsimit të një prone shtet.
Bisedat në Sky Ecc
21 Shtator 2021
Personi i identifikuar me emrin Viktor bisedon me Aleksandër Lahon
Tori- Po të jenë dokumentet në rregull bën punë ai.
‘Rrumi’-Në rregull janë çdo gjë….po do sjell Gjonin, djalin e Frrokut… se Gjoni është trashëgimtari i atyre… po sot nuk mundej të vinte.
‘Rrumi’ i shkruan Viktorit
‘Ky kërkon të ecë. I intereson ajo punë.
Çfarë tha, dhe a do pjesë apo pagesë… mirë ishte i jepnim ndonjë pjesë të ngelte i kënaqur dhe ai se është bregdeti e gjitha gati. Po si të dojë ai…Unë jam i gatshëm për çdo gjë’.
Viktori i shkruan
‘Më tha në shkallë të parë me e mbyllur me 100 mijë euro të jesh i kenaqur dhe siguro shkon në Apel’.
‘Rrumi’ i shkruan se është i gatshëm për pjesën e tij’.
Në vijim të bisedës, ‘Rrumi’ i jep detaje të pronës për të cilën diskutojnë.
‘Kjo është pjesa e krahut matanë Ishëm, aty ku do bëhet një port që ka miratuar Rama, portin e skafeve, a nuk e di çfarë porti egzakt’.
30 Tetor 2020
‘Rrumi’ bisedon me Vullnet Muçën në lidhje me pronën e Gjon Brahjes dhe faktin që ata nuk duhet të ekspozohen që pas pronës fshihet emri i tyre.
‘Rrumi’- Duhet me u lidh me Viktorin për atë dosjen që ka marrë ai avokati.
Į kemi dhënë dosjen e Gjonit atij.
Vetëm emri jonë s’duhet të dalë që i kemi neve… se po doli që janë tonat ata dyshojnë direkt te ne…dhe Viktori kështu i ka thënë e ka Gjoni të plakut vet.
Sipas grupit hetues del se Vlash Brahja dhe babai i tij Gjoni, me veprime aktive kanë ndihmuar ‘Rrumin’ dhe vëllain e tij Vullnet Muça që të tjetërsojnë pasuri të paluajtshme, të regjistruara mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara.
Nga ku rezulton e faktuar se Vlash Brahja ka shitur një pasuri ‘Pemëtore’ 13 200 m2.
Si dhe babai i tij Gjoni ka pranuar që ‘Rrumi’ dhe vëllai i tij, të përdorin emrin e tij me qëllim regjistrimin e disa pasurive të llojit ‘pyll’, duke fallsifikuar notën e transkriptimit në Radhorin e vitit 1932.
Por që të siguronin këto dokumente të ruajtura brenda Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Aleksandër Lahos, i duheshin me patjetër njerëz të besuar brenda këtij institucioni të cilët i vendosnin përpara regjistrat e arkivës me të cilët ai më pas fillonte nga puna për falsifikimin dhe tjetërsimin e tyre, nëpërmjet ryshfetit.
Përgjimet e Sky Ecc zbardhën komunikimet që i përkasin gushtit të vitit 2020 të cilat zhvillohen midis Aleksandër Lahos dhe vëllait të tij Vullnet Muça u tashmë shqetësimi i tyre është estetik.
Fakti që dokumentat e falsifikuara u kanë ardhur me probleme të kaligrafisë.
Vullneti i dërgon Aleksandër Lahos foton e një flete të një kartele pasurie të ndodhur në fshatin Bizë, në emër të Gj. S, e shitur te një person me mbiemrin Melani.
Në lidhje me këtë kalim pronësie, Vullneti i shkruan Aleksandrit:
Vullneti- Të dyja si surrati i vetë i ka bërë.
‘Rrumi’- Po kartelat i bëmë neve para se t’i fusnim apo jam gabim?
Po çfarë nuk të pëlqen të këto, shkrimi apo ndonjë gjë tjetër?
Vullneti: Po vizën shtremba-shtremba.
Por ndërsa tashmë janë në hall të madh për shkak se kanë mësuar që janë zbuluar në falsfikimet që kanë kryer me pronat shtet, Aleksandër Laho dhe vëllai i tij, kujdesen që tashmë të korruptojnë specialistët që do të merren me ekspertimin dokumenteve që tanimë janë në duart e prokurorisë.Siç është edhe kjo bisedë këtu midis të dyve, ku vetë ‘Rrumi’ ka tentuar të takojë ekspertin e laboratorit që po merret me verifikimin e dokumenteve.
Në lidhje me ekspertimin që Prokuroria e Posaçme i ka bërë dokumenteve të sekuestruara, Vullneti dhe Aleksandri kanë zhvilluar disa biseda midis tyre në platformën Sky Ecc.
Mars 2021, Vullneti i shkruan Aleksandrit:
Vullneti- B. P i ka?
I ka çuar ke laboratori për akt ekspertim ai prokurori
Vullneti-Atë B. e takove vetë ti?
Ti thoje nxirri që janë në rregull… Dhe më pyet a e ka çuar volumin dhe ato tjerat që ka marrë herën e parë…
Po deshi ai i nxjerr në rregull, është ekspert i fushës.
‘Rrumi’- Po ſola. I ka ky të gjitha. U ndava shumë mirë…..Unë do t’i bëj gjërat që mos të bëjnë riekspertim dhe po ta bëjnë të vi po ke linja jonë…….Është ok.
Vullneti- Janë dhe të parat atëherë…. Thuaj nxirri në rregull se vula dhe firmat në rregull i kanë.
‘Rrumi’- Ok do i nxjerrë, po 3 janë keq.
Vullneti- Keq s’ka si të ketë qenë se vulën dhe firmën i kanë të gjitha në rregull, dhe letra është orgjinale.
‘Rrumi’- Po bëja sikur nuk dija gjë unë. Ai ishte gjarpër. Ti tha e di mirë, po do shprehem që janë të njëjtat.
Vullneti- Janë shumë Espinoza…. po e ke takuar ti vetë s’ka mundësi me u shprehur keq. Ai në njëfarë mënyre ka pranuar bashkëpunimin…
Por pavarësisht tentativës së tyre për t’i dhënë një kafe ekspertit të kriminalistikës dhe për t’i nxjerrë të rregullta dokumentet, specialisti i fushës ka nxjerrë mjaftueshëm probleme në këto kartela pasurie.
Probleme që ai i ka pasqyruar edhe në gjetjet e tij në shumë prej këtyre pasurie, që u kishin kaluar fshatarëve të zonës.
Ku konstatoheshin fshirje të ndryshme të bëra në mënyrë mekanike.
Deri dhe ndryshim të bojës së shkrimit.
“Nga analiza e fakteve dhe provave arrijmë në përfundimin se për regjistrimin pranë ish-ZVRPP Durrës të pasurive të lartpërmendura janë përdorur dokumente të falsifikuar.
Personat të cilët i kanë falsifikuar këto dokumente kanë patur informacion për pasuritë që nuk ishin ndarë me ligjin 7501 ‘Për tokën’”, thuhet në dosjen hetimore.
Ata kanë siguruar informacion pranë DAMT Këshilli i Qarkut Durrës për zërin kadastral të pasurive dhe sipërfaqen e tyre duke bërë që për pjesën më të madhe të pasurive zëri kadastral dhe sipërfaqja e pronës së pasqyruar në AMTP- të e falsifikuara të përputhen me zërin kadastral dhe sipërfaqen që është regjistruar në librin e tokës bujqësore që ndodhet pranë DAMT-së së Qarkut Durrës.