Luciano Boçi dënon ashpër ndërprerjen e sinjalit të News24, duke e cilësuar atë si një akt arbitrar dhe autoritar që shënjestron median e lirë dhe mesazhin e saj.
Boçi paralajmëron se kjo është një vazhdimësi e një modeli të njohur, të ngjashëm me atë që solli mbylljen e “Agon Channel” dhe pasojat e mëdha financiare për vendin, falë ndjekjes penale të themeluesit Francesco Becchetti.
“Veprimet janë të njëjta: shtypje e fjalës së lirë, dhunë ligjore dhe uzurpim i medias, pa respektuar vendimet e gjykatave,” thotë Boçi.
Komenti i Luçiano Boçit
Me pushtimin e rrëmbimin e News24, Rama rrezikon një tjetër “Becchetti” 2.0
Sulmi dhe presioni ndaj një mediaje të lirë, si News24, nuk është thjesht një veprim arbitrar autoritar.
Njëherazi është një paralajmërim për këdo që guxon të thotë të vërtetën.
Rama nuk ka harruar të njëjtin shteg që e çoi vendin drejt një fature miliona euro, të paguar nga taksat e shqiptarëve, pas mbylljes së “Agon Channel” dhe ndjekjes penale të themeluesit të saj, Francesco Becchetti.
Veprimet e delirimet janë të njëjta. Shtypje e fjalës së lirë, dhunë e arbitraritet ligjor.
Uzurpohet një media pa respektuar vendimin e gjykatave dhe ky uzurpim është pararendur me sulme verbale dhe fizike ndaj aseteve të zotëruesit mediatik Hysenbelliu grup.
Mjafton kaq për të kuptuar fituesin ligjor të përplasjes.
Veprimi i djeshëm akoma dhe më arbitrar. Dhe një jurist fillestar e kupton shumë mirë që një proces arbitrazhi e fundos totalisht qeverinë Rama me penalitete milionëshe.
Sot, me të njëjtën logjikë të hakmarrjes politike, rreziku është real: një tjetër proces ndërkombëtar, një tjetër dëm ekonomik kolosal, një tjetër turp diplomatik për Shqipërinë.
Sulmi ndaj News24 nuk është vetëm goditje ndaj pronës private, por është atentat ndaj lirisë së medias, ndaj të drejtës për të informuar dhe për t’u informuar.
Në vend që të përballet me akuzat dhe faktet që media i vë në dritë, Rama zgjedh të mbyllë gojët, të kontrollojë valët, të fshijë çdo gjurmë të fjalës së lirë.
Por përvoja na ka mësuar: sa më shumë dhunë mbi të vërtetën, aq më shtrenjtë i kushton vendit. Dhe në fund, fatura nuk shkon në xhepin e kryeministrit, por në atë të qytetarëve.
Nëse pushtimi i News24 vazhdon, nuk kemi thjesht një krizë lirie – kemi përpara një Becchetti 2, me të njëjtën arrogancë, por me pasoja edhe më të rënda.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër plagë financiare e morale. Ka nevojë për drejtësi, transparencë dhe për një media të lirë që nuk shitet e nuk blihet.