Në vijim të procesit gjyqësor për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj të ndodhur më nëntor 2019, ka dëshmuar sot në gjykatë Arben Haxhiaj, vëllai i Bashkim Haxhiajt, i cili ndodhet në burg dhe është i pandehur për të njëjtën ngjarje.
Në dëshminë e tij, Arben Haxhiaj deklaroi se ka pasur një takim në vitin 2020 me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, i cili e kishte vizituar në një lokal që Haxhiaj administronte në lagjen nr. 5 në Durrës.Ai gjithashtu deklaroi se është kërcënuar me mesazhe, ku i shkruhej “hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu.”
Sipas tij, kërcënimi ka ardhur disa kohë pas komunikimit me Aleksandër Lahon, por nuk e di kush është dërguesi.
“Edhe vëllait tim i është bërë atentat. Kur kam shkuar në spital, e kishin marrë në polici. Ishte në të njëjtën makinë me Plarent Dervishin dhe Jul Meçen, kur iu bë atentati. Në dijeninë time, janë dëmtuar të tre”, thuhet nder te tjera ne deshmi.
Haxhiaj u shpreh se vijon të ndiejë rrezik për jetën e tij dhe të familjes, për shkak të situatës:
“Po të ishte zgjidhur ajo punë, kush e bëri atentatin, nuk do të isha unë këtu sot. Vij e dëshmoj se më thërrasin, por fëmijët e mi janë në rrezik, sepse jetoj në Durrës.”
Kujtojmë që për atentatin është dënuar me burg përjetë Redian Rraja nipi ish deputetit socialist Rrahman Rraja dhe me 30 vite Ariol Halilaj.