Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja me armë zjarri e 41-vjeçarit Artur Çangu, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes (10 prill) në fshatin Viron, në zonën e Niklës, Fushë-Krujë nga Eduart Afmataj.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se mes viktimës dhe autorit kanë ekzistuar prej rreth dy vitesh konflikte të vazhdueshme, të lidhura me çështje pronësie.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi 41-vjeçari Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin pranë saj. Ky veprim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili ka dalë nga banesa dhe ka debatuar me të, duke pretenduar se automjeti i kishte bllokuar rrugën.
Debati mes tyre mësohet se ka degjeneruar në konflikt fizik, ndërsa në një moment autori i dyshuar ka marrë një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend, i kthyer përmbys dhe me shenja plumbash.
Kujtojmë se Eduart Ahmataj rezulton të ketë lidhje familjare me viktimën, pasi ai mësohet se është dhëndër te kushërinjtë e Çangut.
Po ashtu, një ditë më parë u raportua se shkak i konfliktit mund të ketë qenë një përplasje po për çështje pronësie mes djemve të viktimës dhe autorit të dyshuar disa ditë më parë.
Ndërkohë, pas krimit Eduart Afmataj ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke humbur gjurmët.
Forcat e rendit kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe në disa pika të dyshuara, por deri tani nuk kanë mundur të bëjnë lokalizimin apo arrestimin e tij.


