Një grua 45-vjeçare ka përfunduar në Spitalin e Lushnjes pas një aksidenti rrugor të ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rural Fier–Shegan, pranë zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasja me iniciale M.D., banuese në fshatin Toshkëz, ka humbur kontrollin mbi motoçikletën që drejtonte dhe ka dalë nga rruga, duke u rrëzuar me forcë. Mësohet se ajo po kthehej nga puna në momentin e aksidentit.
E plagosura është transportuar me urgjencë nga ambulanca në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se ajo ka pësuar plagë të shumta në kokë dhe trup, për shkak të mungeses së kaskës mbrojtëse.
Gjatë dëshmisë së saj paraprake, 45-vjeçarja ka deklaruar se humbi kontrollin mbi mjetin pasi një dhelpër i kishte dalë papritur në rrugë, çka e detyroi të manovronte dhe më pas të rrëzohej.
Grupi hetimor ka kryer veprimet procedurale dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.