Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, do të jetë mbrëmjen e sotme e ftuara e gazetarit Sokol Balla, në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24”.
Këtë gjë e konfirmon vetë Kryemadhi përmes një postimi në “Facebook”, ku thekson se sipas saj, 25 prilli do të jetë dita ku kapitullon përfundimisht politika e vjetër që po mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Ndër të tjera ajo thekson se pikërisht për uraganin e ndryshimit do të bisedojë sot me gazetarin Sokol Balla.
“Në 25 Prill kapitullon përfundimisht politika e vjetër që po mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë. Që po mban peng ekonominë, punësimin, mirëqenien e shqiptarëve. Kjo është koha e të rinjve dhe të rejave në drejtimin e vendit. Kjo është koha e shërbimit me përulje ndaj familjeve shqiptare.
Për uraganin e ndryshimit do të bisedojmë sot me gazetarin Sokol Balla LIVE. Ju ftoj të më ndiqni dhe të bëheni gati. Vala e ndryshimit do të sjellë shpresë dhe frymëmarrje për të gjithë!”, shkruan Kryemadhi.