Kryetari i komunës së Deçanit në Kosovë, Bashkim Ramosaj, është shprehur sot rreth situatës së krijuar, pas dyshimeve se qindra qytetarë janë helmuar nga uji i pijshëm.
Në një konferencë për mediat, Ramosaj tha se rreth 884 banorë të kësaj komune kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.
Ai theksoi se ky është rasti i dytë brenda një muaji që qytetarët helmohen nga uji i pijshëm, duke ngritur dyshime se një gjë e tillë mund të jetë e qëllimshme.
Megjithatë, Ramosaj shton se kjo gjë duhet të vërtetohet nga organet kompetente.
“Deri më tani 884 pacientë i kanë pasur simptomat e njëjtë. Dy herë brenda një muaji e kemi pasur situatën e njëjtë kështu që po na shtynë që të mendojnë që kjo është diçka e qëllimshme. Por, le të mbetet në dorën e Prokurorisë së Shtetit që t’i zhvillojë hetimet. Nëse vërtetohet se ka pasur helmim atëherë ne ndaj Ujësjellësit Regjional ‘Hidrodrini’ do të marrim masat ligjore në fuqi të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, Ramosaj ka theksuar se rezultatet kimike janë marrë ndërsa janë në pritje të atyre biologjike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Pejë.
Sipas tij, rezultatet në aspektin kimik tregojnë se uji nuk paraqet ndonjë problem dhe se mund të përdoret për t’u pirë, kurse rezultatet biologjike ende nuk kanë dalë, por pritet të tregojnë dhe të vërtetojnë shkakun e këtij helmimi.
“Ne kemi pasur katër takime me IKSHPK-në në Pejë. Rezultatet kimike i kemi marrë nga ata. Tani po i presim edhe rezultatet biologjike deri kah mbrëmja edhe pastaj duhet edhe analiza të tjera. Kimikisht është vlerësuar që nuk ka ndonjë telashe për përdorimin e ujit të pijes. Tani jemi duke pritur edhe analizat biologjike”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka treguar se vetëm ditën e shtunë janë paraqitur 164 raste.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, njësia operative në Deçan, ka lajmëruar se deri sa të dalin analizat, konsumatorët e fshatrave në fjalë janë të lutur që ujin mos ta përdorin për të pirë.
Megjithatë, në lidhje me helmimin masiv të qytetarëve, ende nuk është zbuluar nëse shkaktari kryesor i këtyre helmimeve është konsumimi i ujit të pijshëm; të paktën deri sa kjo gjë të konfirmohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).