Situata humanitare në Rripin e Gazës ka hyrë në një fazë të re dhe alarmante.
Sipas UNICEF-it, që nga fillimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, mbi 18,000 fëmijë janë vrarë, një shifër tronditëse që përkthehet në mesatarisht 28 fëmijë në ditë – “ekuivalenti i një klase shkollore që nuk ekziston më”.
Alarmin e ka ngritur Zëvendës Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Ted Chaiban, i cili sapo është kthyer nga një mision pesëditor në Izrael, Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Deklaratat e tij e përshkruajnë një realitet rrëqethës në territorin palestinez, ku tashmë nuk flitet më vetëm për viktima, por edhe për rrezikun e një urije masive që kërcënon mijëra fëmijë.
Gaza tani është në rrezik serioz nga uria. Situata është përkeqësuar ndjeshëm. Kemi dy tregues që kanë tejkaluar pragun e urisë”, deklaroi Chaiban.
Sipas të dhënave të fundit një në tre persona në Gaza kalon ditë pa ushqim, ndërsa kequshqyerja akute ka arritur në 16.5%, duke tejkaluar kufirin e vendosur për shpalljen e një urie zyrtare. UNICEF njofton se mbi 320,000 fëmijë janë aktualisht në rrezik nga kequshqyerja akute, e cila mund të ketë pasoja të pakthyeshme për shëndetin dhe zhvillimin e tyre, nëse nuk merren masa urgjente.
“Fëmijët në Gaza po vdesin jo vetëm nga bombardimet, por edhe nga uria. Është një katastrofë në zhvillim e sipër, që po ndodh para syve tanë,” tha zyrtari i lartë i UNICEF-it, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje të menjëhershme humanitare.
Apeli i UNICEF vjen në një kohë kur aksesi në ndihma humanitare në Gaza vazhdon të jetë i kufizuar, ndërsa strukturat spitalore janë në kolaps, uji i pastër mungon dhe të mbijetuarit përballen me kushte çnjerëzore jetese.
Kjo nuk është më një situatë e zakonshme lufte, është një krizë humanitare me përmasa të pashembullta, ku viktima të padukshme janë fëmijët. Dhe bota, sipas UNICEF-it, nuk mund të qëndrojë më indiferente.