Sot nisin zyrtarisht provimet e Maturës Shtetërore, duke shënuar një fazë vendimtare për rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin. Testimi i parë, ai i detyrueshëm në Gjuhën e Huaj, çel sezonin e provimeve që do të zgjasë deri më 24 qershor.
Për maturantët, këto provime përfaqësojnë jo vetëm përmbylljen e një cikli trevjeçar në arsimin e mesëm të lartë, por gjithashtu një hap të rëndësishëm drejt arsimit të lartë, ku rezultatet e Maturës, së bashku me notat përgjatë viteve të shkollimit, janë përcaktuese për përzgjedhjen në programet e studimit në universitetet publike dhe private në vend.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot të gjithë maturantët që i nënshtrohen provimeve, duke dhënë një mesazh motivues për ta. Ajo theksoi se “gjithçka është organizuar me përpikëri dhe transparencë, në mënyrë që maturantët të kenë një proces të drejtë dhe të qetë”. Manastirliu u shpreh se mbështetja për të rinjtë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre është një prioritet për institucionin që ajo drejton.
Testi i sotëm në Gjuhën e Huaj është një ndër tre provimet e detyrueshme që maturantët duhet të kalojnë, përveç Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë si dhe Matematikës, për të përmbushur kushtet e përfundimit të shkollës së mesme dhe për të konkurruar për kuotat universitare.
“Mbi 27 mijë prej jush do të përballeni me një seri provimesh që nuk matin vetëm atë që keni mësuar, por edhe përkushtimin dhe mundin që keni treguar gjatë gjithë këtyre viteve të gjimnazit”, u shpreh Manastirliu.
Ajo konfirmoi gjithashtu kalendarin zyrtar të provimeve, ku pas testit të sotëm në Gjuhën e Huaj, më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 17 qershor ai i Matematikës, ndërsa më 24 qershor do të mbahet provimi i lëndëve me zgjedhje.
Ministrja theksoi se “e vetmja gjë që kërkohet sot prej jush është të përqendroheni tek ajo që dini”, duke shtuar se pjesa tjetër, organizimi dhe mbarëvajtja e procesit, është përgatitur me kujdes maksimal nga strukturat arsimore.
Sipas saj, gjithë procesi i maturës është ndërtuar mbi një bazë të fortë, që prej janarit janë shpërndarë modele të testeve, janë zhvilluar para-testime në shkolla, si dhe trajnime të posaçme për hartuesit, administratorët dhe vlerësuesit e testeve. Në total, janë ngritur 145 qendra testimi, janë angazhuar 145 administratorë të trajnuar dhe 640 mësues vlerësues, për të garantuar një maturë të drejtë dhe të besueshme për të gjithë nxënësit.
Një element i rëndësishëm këtë vit është edhe përfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta. Për herë të parë, nxënësit që nuk dëgjojnë do të kenë në dispozicion mësues të gjuhës së shenjave gjatë testimeve. “Një masë që siguron dhe nxit barazinë dhe dinjitetin për çdo nxënës”, tha ministrja.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Manastirliu i ftoi maturantët të kenë besim tek vetja dhe të përballen me provimet me qetësi dhe vendosmëri.
“Ajo që ne si prindër e si mësues ju themi është që të besoni tek vetja, më e mira është përpara jush për gjithçka që vjen pas këtij momenti në rrugëtimin drejt një të ardhmeje të shkëlqyer për të gjithë.”