Administratori i një agjencie turistike në Tiranë është arrestuar dhe bashkëshortja e tij punonjëse në subjekt u mor nën akuzë, pasi dyshohet se kanë përfituar nëpërmjet mashtrimit 17 mijë euro nga klientët.
Prokuroria arriti në këtë përfundim penal pas disa muajsh hetime intensive me metoda proaktive. I arrestuar i aksionit të koduar “Rezervimi” është Ardi Gjuzi.
Policia tha se ai bashkë me gruan e tij A. Gjuzi, dyshohen se duke mashtruar klientët e agjencisë, kanë përfituar rreth 17 000 euro
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare Tiranë, pas administrimit të kallëzimeve të disa qytetarëve, për mashtrim nga një agjenci udhëtimi, kanë kryer disa javë hetime në drejtimin e Prokurorisë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rezervimi”. U ndalua shtetasi A. Gj., 63 vjeç, administrator i agjencisë turistike dhe nisi procedimi penal për shtetasen E. Gj., 51 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit A. Gj.), punonjëse e agjencisë”, bëri me dije zyrtarisht policia e kryeqytetit.
Sipas hetimeve, pasi bëhej rezervimi i biletave për udhëtime, bashkëshortët i përfitonin për vete këto shuma parash të klientëve, në shumë raste edhe me rezervimet e akomodimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “mashtrimi” dhe “fshehja e të ardhurave”.