Ragip Gila, i dyshuar si autori i vrasjes së trefishtë që tronditi qytetin e Shkodrës, ka mbërritur këtë të enjte në Gjykatën e Shkallës së Parë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën më të rëndë të sigurisë, “arrest me burg”, ndërsa seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Gjyqtare e çështjes është Ermira Dedja, ndërsa prokuror i çështjes është Pjerin Çukaj.
Sipas hetimeve paraprake, Gila akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Kraja alias Lushi, si dhe për plagosjen e rëndë të Erogen Vasos Brajoviç dhe Meri Kacerit, kamariere e lokalit, gjatë një atentati që ndodhi më 8 Shtator në qendër të qytetit të Shkodrës.
Autori i dyshuar i masakrës, Ragip Gila u vendos në pranga disa minuta pas ngjarjes së rëndë në tentativë për t’u arratisur.
28 vjeçari, banues në Shkodër, u arrestua për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Pas të shtënave, autori Ragip Gila u largua nga dera e pasme e lokalit dhe braktisi motorin, duke ecur në këmbë për disa metra.
Më pas, Gila ndaloi një qytetar dhe nën kërcënimin e armës i mori makinën BMW ngjyrë gri, me të cilën u largua me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit. Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur ai qarkullon me makinën e vjedhur në përpjekje për t’u arratisur. Arriti deri në lagjen Skënderbeg, por gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa mjete të tjera. Pas përplasjes, e braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë në drejtim të lumit Kir.
******
Deshmia e autorit
Ragip Gila, 30 vjeç, i arrestuar si autori i dyshuar i ngjarjes, ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve, duke pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të,” ka deklaruar Gila në polici, duke sqaruar se nuk kishte synuar të qëllonte të tjerë persona në vendngjarje.
Sipas dëshmisë së tij, Gila pretendon se kishte një konflikt të vazhdueshëm me Vason.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë,” mësohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Nga te shtenat me arme zjarri ne lokal humben jeten Armando Palit dhe Liridon Kraja, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Vaso, që dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit, dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.
Gila u arrestua pas një ndjekjeje nga policia, gjatë së cilës u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke pësuar një dëmtim në këmbë. Në ato momente, ai është detyruar të dorëzohet, duke thënë: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.”
Menjëherë pas arrestimit, ai u dërgua për trajtim mjekësor dhe më pas dha deklaratën e parë.
Megjithatë, policia nuk e ka marrë të mirëqenë versionin e dhënë nga Gila. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohet nëse 30-vjeçari ka vepruar i vetëm apo ka qenë pjesë e një skenari të organizuar nga persona të tjerë që mund ta kenë porositur vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso, aktualisht i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
******
Kush është autori
28-vjeçari është arrestuar në 6 Dhjetor 2023, pasi në banesën e tij në lagjen Partizani në Shkodër iu gjet arsenal armësh që dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.
Gjatë operacionit “Imazhi fals” u sekuestruan 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në atë kohë, blutë arrestuan në flagrancë Ragip Gilën, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Ndërkohë në ngjarjen e rëndë në Shkodër u vranë me automatik Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe Liridon Kraja (Lushi), ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso (Brajoviç), i cili ndodhej në tavolinë me viktimat, si edhe kamarierja në lokal Meri Kaceri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.
Sipas burimeve, Armando Pali punonte në IKMT dhe ka qenë ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër.
******
Deklarata publike e Erogen Vasos
Pas atentatit të rëndë të ndodhur në mëngjesin e djeshën (8 shtator) në qendër të Shkodrës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, ka reaguar për herë të parë Erogen Millan Vaso (Brajovic), i cili sipas autoriteteve ka qenë shënjestra e atentatit.
Në një deklaratë për median dhe opinionin publik, Vaso ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e dy miqve të tij të afërt, Armando Pali dhe Geridon Kraja, të cilët ishin ulur në një lokal me të në momentin e sulmit. Ai i ka cilësuar ata si “qytetarë model dhe familjarë të respektuar”, duke u shprehur se kjo ngjarje ka lënë një plagë të pashërueshme në jetën e tij.
“Dora e pabesë e një vrasesi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku. Për mua personalisht është dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet,” shkruan Vaso në deklaratën e tij.
Ai ka uruar gjithashtu shërim të shpejtë për vajzën e plagosur në atentat dhe ka falënderuar autoritetet për ndalimin e menjëhershëm të autorit të dyshuar. Sipas tij, tashmë mbetet në dorën e institucioneve të drejtësisë të zbardhin motivet e kësaj ngjarjeje tronditëse.
Në lidhje me aludimet për përfshirjen e tij në grupe apo konflikte të caktuara, Vaso është shprehur qartë:
“Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër. Apeloj që këto çështje të trajtohen vetëm nga institucionet përkatëse të ligjit.”
Deklarata e plote:
Unë Erogen Millan Vaso (Brajovic) e bej kete reagim per mediat dhe opinionin publik. Ne keto momente te veshtira jo vetem per mua i shpreh ngushellimet e ndjera familjareve te 2 miqve te mi qe ishim sebashku sot ne mengjes ne nje kafe ne qender te Shkodres. Ata ishin qytetare model te Shkodres, familjare te respektuar nga gjithe komuniteti. Dora e pabesise te nje vrasesi i shkeputi sot nga jeta teksa ishim sebashku dhe per mua personalisht eshte dhimbje e rende dhe plage qe nuk mbyllet! Kjofshin ne paqe me zotin Armando dhe Geridoni! Zoti ju dhente force familjeve te tyre!
Gjithashtu i uroj sherim te shpejte vajzes te plagosur ne kete ngjarje. Distancohem plotesisht nga informacione qe lidhin personin tim me emra dhe grupe te caktuara ne Shkoder. Jam sipermarres ne disa biznese, nje pjese trasheguar nga babai im gjithashtu ai sipermarres deri ne fund te jetes, ish-futbollist i Shkodres dhe kombetares shqiptare. Une kam qene per shkak edhe te tradites familjare, ish-futbollist i ekipit te Vllaznise, ish-President i klubit te futbollit Terbuni te Pukes.
Familja ime ka patur nje histori persekutimi politik para viteve ‘90, por dhe vite me pas per shkak se ka perfaqesuar komunitetin malazez ne Qarkun e Shkodres. Per interesa te ketij komuniteti dhe Shkodres kam sherbyer me korrektesi per disa vite anetar i keshillit bashkiak te qytetit tim ashtu sikurse kishte sherbyer njeri prej miqve te mi te afert qe humbi jeten sot. Jam informuar ne spital qe autori eshte ndaluar dhe shpresoj te zbardhen sa me shpejt motivet e ketij akti te rende tragjik! Sa per lidhje te tjera qe aludohen ne media sqaroj se duhen lene institucionet e ligjit te trajtojne keto ceshtje!
******
Lidhjet me Denis Brajoviç:
Denis Bajri (Brajoviçit ), i cili u arrestua në shkurt të 2024, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Dubai drejt vendit tonë më 23 Korrik 2025.
Ndaj Brajoviçit ishte lëshuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku nga përgjimet e SKY, ai flet me mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Denis Brajoviç ka qenë subjekt i OFL-së, pasi u hetua për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.
Ai u arrestua si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër dhe më pas është liruar nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë rreth vitit 2019, duke u lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Denis Bajri Brajoviç dyshohet se autor i vrasjes së Gjon Ndojt (Boriçi), krimi ndodhur më 9 Gusht 2020 në Shkodër.
“Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër”, ka njoftuar policia në një njoftim të mëparshëm.
Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri.
Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.
Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.
******
Kush janë dy personat që ndihmuan në krim
Policia ka shpallur në kërkim Barush Bregu (Bajram Bregu) dhe një 17-vjeçar që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike.
Njoftimi:
Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës.
Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:
-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
U sekuestruan:
-2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;
-automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar:
1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme