Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në zonën malore të Llogarasë, ku 22 kuaj të lirë janë qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër mbi këto kafshë të pambrojtura.
Sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve, katër kuaj kanë ngordhur menjëherë nga plagët e marra, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në pyll, disa prej tyre të plagosur dhe në gjendje të rëndë, duke pasur nevojë urgjente për ndërhyrje veterinare.
Deri më tani, pronarët nuk kanë arritur të lokalizojnë të gjithë kuajt, të cilët u larguan në panik pas të shtënave. Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë skena të rënda, që dëshmojnë për barbarinë ndaj tufës së kafshëve që lëviznin të lira në zonë.
Banorët e Llogarasë pohojnë se ky nuk është rasti i parë kur kafshët që jetojnë të lira goditen me armë, por theksojnë se ngjarja e fundit ka shkaktuar zemërim të madh publik.
Pronari i kuajve ka bërë me dije se autoritetet janë njoftuar menjëherë pas incidentit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Aktivistët dhe komuniteti lokal kërkojnë hetim të plotë, ndëshkim të autorëve dhe vendosjen e masave ligjore për të mbrojtur kafshët nga dhuna.
Sipas tyre, mungesa e reagimit institucional vetëm sa nxit përsëritjen e akteve të tilla mizore.