BESARTA BASHA/ Mijëra shqiptarë që kanë punuar në Itali do të mund të marrin pensionin që u takon pa humbur asnjë vit kontributi, ndërsa ata që kanë vite pune në të dyja shtetet do t’i bashkojnë periudhat për të përfituar pension të plotë.
Marrëveshja e re Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore, që hyn në fuqi nga sot, garanton për herë të parë të drejtën që kontributet e paguara në të dyja vendet të njihen dhe të shërbejnë për pension pleqërie, invaliditeti, familjar, papunësie apo barrëlindjeje. Përfitimi mund të merret pavarësisht se ku jeton, në Shqipëri, Itali apo në një vend tjetër. Ky është një lajm i mirëpritur për të gjithë emigrantët shqiptarë që kanë kontribuar në Itali dhe duan të sigurojnë të ardhmen e tyre. Në funksion të implementimit të kësaj marrëveshjeje, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar udhëzuesin ku përcaktohen rregullat e qarta të zbatimit përmes së cilit do t’u vihet në ndihmë qytetarëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të të dyja vendeve, të përfitojnë nga të drejtat e tyre. Dokumenti në fjalë përmban procedurat e aplikimit, kriteret dhe dokumentacionin sipas të cilave lindin edhe përfitimet konkrete sipas marrëveshjes në fuqi. Marrëveshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore sjell me vete një mundësi reale për qindra mijëra qytetarë që kanë ndërtuar jetën mes dy brigjeve të Adriatikut.
UDHËZUESI
Nuk ka më dyshime, konfuzion apo pritje pafund për të kuptuar si funksionojnë pensionet. Udhëzuesi zyrtar i publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore i Shqipërisë hedh dritë mbi të gjitha procedurat, rregullat dhe përfitimet që shqiptarët mund të marrin falë kësaj marrëveshjeje historike. Për herë të parë, kontributet e paguara në Shqipëri dhe Itali njihen reciprokisht. Nëse një shqiptar ka punuar disa vite në Itali dhe disa në Shqipëri nuk i humb vitet e sigurimit. Përkundrazi, ato bashkohen dhe llogariten për të siguruar të drejtën e pensionit, qofshin pension pleqërie, invaliditeti apo pension familjar. E njëjta logjikë zbatohet edhe për përfitime të tjera, si pagesa e papunësisë apo ndihma për barrëlindje. Përfitimi i madh është që pensionet nuk varen më nga vendbanimi. Mund të jetosh në Itali, Shqipëri apo në një vend tjetër, përfitimi vjen në llogarinë tënde, si për çdo qytetar tjetër. Nuk ka rëndësi kombësia, por fakti që ke kontribuar në një nga dy sistemet e sigurimeve. Lajm pozitiv është edhe për ata që transferohen përkohësisht për punë. Punonjësit apo të vetëpunësuarit që shkojnë përkohësisht në Itali apo anasjellas, nuk do të paguajnë dy herë kontribute. Mjafton të pajisen me një certifikatë të posaçme mbulimi që vërteton se janë ende pjesë e skemës së vendit të origjinës. Procedurat janë të thjeshtuara. Nëse je në Shqipëri dhe do të aplikosh për pension italian, nuk ke pse të udhëtosh. Një kërkesë e vetme, e dorëzuar pranë ISSH-së ose e bërë “online” është e mjaftueshme që autoritetet shqiptare dhe ato italiane të bashkëpunojnë për të verifikuar periudhat e sigurimit dhe për të llogaritur përfitimin tënd. Nëse je në Itali, INPS merret me dokumentacionin dhe, nëse ke vite sigurimi në Shqipëri, ato do të merren parasysh. Bashkimi i periudhave të sigurimit është një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje.
RASTE TË VEÇANTA
Udhëzuesi përmban edhe mënyrën se si trajtohen raste të veçanta. Kështu, nëse ke më pak se një vit sigurim në një nga dy shtetet, kjo periudhë nuk të jep të drejtë më vete për pension, por mund të bashkohet me periudhat e vendit tjetër për të plotësuar kushtet minimale. Profesione të veçanta, si për shembull minatorët, përfitojnë nëse kanë punuar në të njëjtin profesion në të dyja vendet. Ndërsa për përfitimet e papunësisë, nëse një person që merr papunësi në Shqipëri, shkon përkohësisht në Itali për të kërkuar punë, e drejta e papunësisë nuk humbet për periudha deri në tre muaj. Dokumentacioni është gjithashtu më i thjeshtuar. Nuk kërkohen më përkthime, legalizime apo noterizime për dokumentet e nevojshme – institucionet e secilit vend i njohin zyrtarisht dokumentet e njëritjetrit. Një tjetër lehtësi është koha e trajtimit të kërkesave. Procesi administrativ pritet të zgjasë maksimumi dy muaj nga momenti kur kërkesa dorëzohet dhe verifikimi i periudhave mbyllet. Ky është hapi më i madh institucional në funksion të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve emigrantë në Itali. Marrëveshja është jo vetëm një zgjidhje konkrete për të mos humbur kontributet e viteve të punës, por edhe një siguri më shumë për të ardhmen e çdo familjeje shqiptare që ka ndërtuar jetën mes Shqipërisë dhe Italisë.
KUSHTET TË PËRFITUAR PENSION ITALIAN
a) Për personat me periudha kontributive para 1 janarit 1996:
-42 vjet e 10 muaj kontribute (2,227 javë) për burrat.
-41 vjet e 10 muaj kontribute (2,175 javë) për gratë. Këto kërkesa janë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026. Kërkohen gjithashtu të paktën 35 vjet kontribute të vlefshme për llogaritje, duke përjashtuar periudhat e sëmundjes, papunësisë dhe shërbimeve të ngjashme.
b) Për personat me kontribute pas 1 janarit 1996
(sistemi kontributiv i pastër):
-Mund të kenë të njëjtat kërkesa kontributive si më sipër (41 vjet e 10 muaj për gratë, 42 vjet e 10 muaj për burrat), por pa përfshirë kontributet vullnetare.
-Për periudhat e punës para moshës 18 vjeç, kontributi shumëzohet me 1.5. KUSHTET PËR TË PËRFITUAR PENSION SHQIPTAR
-Të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet.
-Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, si më poshtë:
1. Mosha e daljes në pension për burrat: -Deri në vitin 2032: 65 vjeç.
-Nga viti 2032 deri në vitin 2056: mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç. 2. Mosha e daljes në pension për gratë:
-Nga viti 2015: mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056.
-Në vitin 2025: mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.
/Gazeta Panorama