Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, është rrëfyer për të dytën herë në Gjykatën e Posaçme, duke dhënë detaje të reja tronditëse për vrasjen e Albi Bashaliut, ngjarje e ndodhur më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjoçaj të Peqinit.
Në dëshminë e tij, Tafani ka pohuar se ai dhe bashkëpunëtorët morën 30 mijë euro për të ekzekutuar 35-vjeçarin, shumë të cilën, sipas tij, ua dorëzoi babai i Laert Haxhiut, Qamil Haxhiu.
“Pasi mbaruam punë nuk na ndizej makina. E dogjëm makinën te vendi ku kishim lënë makinën tjetër për të ikur. Fshiva timonin që e kisha prekur. U nisa me vrap drejt rrugës kryesore. U nisëm për Tiranë, e lamë Benzin në Astir. Donim të shmangeshim nëpër lagje, ecnim në këmbë. E lamë makinën te rrethrrotullimi i Astirit,” – tha Tafani.
Ai tregoi se nga shuma prej 30 mijë euro, ai vetë kishte marrë 20 mijë euro, ndërsa Lulzimi mori 20 mijë dhe Laerti 10 mijë euro, pasi paratë janë ndarë në dy faza.
“Kemi marrë një pjesë të lekëve të vrasjes së Albi Bashaliut, fillimisht 30 mijë euro. Mos gaboj, m’i dha lekët babai i Laertit, Qamili. Unë mora 20 mijë euro. 20 mijë i mori Lulzimi, 10 mijë i mori Laerti. Morëm dy herë nga 10,” – tha ai.