Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të shtune pranë qytetit të Gramshit, duke shkaktuar momente paniku dhe ankthi për kalimtarët dhe banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka humbur kontrollin teksa kalonte mbi urë dhe ka rënë në liqenin e Banjës, duke përfunduar i zhytur në ujë.
Drejtuesi i automjetit u nxorr në kohë nga uji, dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa burimet bëjnë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, por paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë apo kushteve të rrugës.
Ngjarja rikthen edhe një herë vëmendjen mbi sigurinë rrugore në segmentet pranë liqenit të Banjës, ku mungesa e barrierave mbrojtëse apo faktorë të tjerë rrezikojnë seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve.


