Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar mafian shqiptare që vepron në Ekuador se ka qenë pjesë e një plani për të “sabotuar” zgjedhjet rajonale dhe legjislative që do të mbahen të dielën e ardhshme në vendin e tij, raportojnë mediat e Amerikës Jugore.
“Në këtë moment janë ndaluar 38 mercenarë të rinj. Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Ne i kemi kapur ata. Tre nga telefonat e tyre u sekuestruan”, deklaroi Maduro gjatë një takimi me komandën e lartë ushtarake, i transmetuar në Televizionin Shtetëror Venezuelian (VTV).
Sipas tij, prania e mercenarëve të dyshuar lidhet me një vizitë të bërë në prill në Ekuador nga biznesmeni dhe ish-oficeri ushtarak amerikan Erik Prince, themelues i kompanisë private të sigurisë Blackwater (tani e njohur si Academi). Maduro tha se Prince i kishte ofruar administratës së presidentit ekuadorian Daniel Noboa trajnime sigurie për forcat e armatosura dhe policinë.
“Nëse Erik Prince është atje, perandoria amerikane është atje”, u shpreh presidenti venezuelian.
Maduro theksoi se përballë atyre që duan “dhunë, sabotim, shpërthime dhe plumba“, votimi i së dielës duhet të zhvillohet si një akt për “paqe, stabilitet dhe shembull të sovranitetit kombëtar kundër mafies së drogës ekuadoriane, shqiptare, kolumbiane dhe imperialiste”.