Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur një vizitë zyrtare tre-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, e para e këtij niveli nga një lider i BE-së që pas Brexit, me synimin për të rifreskuar marrëdhëniet mes Londrës dhe Brukselit.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Macron tha se “Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të hapin shtigje të reja bashkëpunimi përballë sfidave globale.”
Ai theksoi fushat kryesore ku palët do të përqendrojnë bashkëpunimin: siguria, mbrojtja, energjia bërthamore, hapësira, inovacioni, inteligjenca artificiale, migracioni dhe kultura. Sipas Macron, objektivi është një bashkëpunim i prekshëm, efektiv dhe i përhershëm.
Presidenti francez përshëndeti gjithashtu vullnetin e Britanisë për t’u afruar me Bashkimin Evropian, duke e quajtur një “tregues të fortë” për ndërtimin e partneriteteve të reja mbi baza respekti dhe interesash të përbashkëta.
Macron mbërriti në Britani i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron. Çifti presidencial u prit nga Princi William dhe Princesha Kate, ndërsa në vijim do të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare në Kështjellën Windsor, ku do të takohen me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla.
Vizita vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet Londër-Bruksel, me synimin për të rindërtuar urat politike dhe për të përballuar në mënyrë të përbashkët sfidat ndërkombëtare.