Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho ka deklaruar se institucioni po përballet me një ngarkesë gjithnjë e më të madhe pune, çështje më komplekse dhe pritshmëri të larta publike, në një kohë kur format e kriminalitetit po ndryshojnë me shpejtësi.
Sipas tij, korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, përdorimi i kriptovalutave dhe komunikimet e enkriptuara kërkojnë përgjigje më të specializuar, më teknike dhe më të qëndrueshme nga institucionet e drejtësisë.
“SPAK është përballur me ngarkesë pune më të madhe, me çështje më komplekse, me pritshmëri më të larta publike dhe forma kriminaliteti që ndryshojnë shpejt. Korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, kriptovalutat, komunikimet enkriptuara kërkojnë përgjigje institucionale më të specializuar, më teknike dhe më të qëndrueshme. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm tej ndjekja e autorëve individuale, por duhet të synojë strukturat, mekanizmat e përfitimit, rrjetet mbështetëse, pasuritë që pasurojnë nga veprimtaritë kriminale. Për këtë arsye hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës tonë. SPAK do forcojë qasjen pro aktive në hetim. Krimi i organizuar nuk pret të referohet, ai duhet identifikuar, analizuar dhe goditur përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtare dhe përdorimit të mjeteve moderne. Kjo kërkon prokurorë të specializuar, hetues të përgatitur, analistë financiar dhe ekspertë”, tha Braho në konferenën me ministrin e Drejtesisë ku u prezantuan edhe rekomandimet e qeverise per 2026″, u shpreh Braho.
Sipas tij, krimi i organizuar duhet të identifikohet dhe goditet, por kjo qasje, tha ai, kërkon prokurorë të specializuar, hetues të trajnuar, analistë financiarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, si dhe mbështetje më të madhe buxhetore.
“Është e rëndësishme që sfidat e reja të shoqërohen me mbështetje të reja buxhetore, Kjo mbështetje nuk duhet parë si privilegj institucional, por si investim në aftësitë e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në mënyrë sa më efektive”, tha nder te tjera Braho.


