Rumania – Kosova, ka filluar të premten në ora 20:45 dhe ka përfunduar të shtunën pas mesnate në një ndeshje që zgjati për më shumë se 3 orë.
Gjyqtari e përfundoj ndeshjen pasi futbollistët e Kosovës bojkotuan ndeshjen për shkak të thirrjeve raciste dhe diskriminuese nga tifozëria vendase, por edhe për shkak të hedhjeve të gjësendeve në fushë si karrika dhe shishe të plastikës ku u rrezikuan futbollistët tanë.
Por jashtë fushave, duket se kjo ndeshje nuk do të përfundojë kurrë. Dy kombëtaret janë në pritje të vendimit nga UEFA, por nga Kosova kanë bërë të qartë se do të shkojnë deri në CAS.
Megjithatë trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu ka vazhduar të flas për Kosovën, edhe pas fitores së rumunëve 4-1 ndaj Qipros.
“As nuk më intereson. Normalisht është 3-0. Nëse do të jepnin një vendim tjetër, do të ishte e tmerrshme për futbollin, do të thotë se nuk ka më rregullore, kushdo mund të ngatërrohet në futbollin evropian apo botëror. Një papagall thotë diçka nëpër tribuna, skuadra tërhiqet dhe thotë nuk e di çfarë”.
“Kjo nuk mund të bëhet, ka një kufi, duhet të mbizotërojë fair-play, përgjegjësia e lojtarëve ndaj lojës së futbollit, ndaj ekipit kundërshtar, ndaj tifozëve dhe ndaj të gjithëve, duhet të jetë maksimale. Profesionistët duhet të respektojnë plotësisht, 100 për qind”, deklaroi Lucescu.
“Jam shumë i pakënaqur, kam arritur në këtë moshë ku kam parë njerëz që sillen ndryshe nga sa ishim mësuar. Fair-play ishte pjesë e jetës sonë, eksitimi ynë, gjithçka”.
“Është pakënaqësia ime si një njeri që kam mbushur këtë moshë, 50 vite aktivitet dhe i shoh këto gjëra që më shqetësojnë”, tha Mircea Lucescu.