Vendimi për të studiuar në një nga fushat e mjekësisë është shumë i rëndësishëm për maturantët, pasi një profesion i tillë kërkon angazhim të vazhdueshëm, përkushtim të veçantë dhe respekt për jetën njerëzore.
Tashmë një nga ambiciet dhe projektet më të mëdha të universitetit “Luarasi” është jetëzuar nën kujdesin e veçantë dhe punën e palodhur të rektorit të Universitetit “Luarasi”, profesor Et’hem Rukes.
Rektori i “Luarasit” jep lajmin e madh për hapjen e Fakultetit më të ri, atij të Shkencave Mjekësore. Fakulteti përmban katër programe, Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Infermieri dhe Farmaci.
“Kam kënaqësinë të njoftoj opinion publik, dje ministrja e arsimit dhe sporteve zonja Evis Kushi ka firmosur urdhrin për hapjen e fakultetit të katërt, në universitetin “Luarasi”. Fakulteti i ri quhet është fakulteti i shkencave mjekësore. Në këtë fakultet do të ketë katër programe studimi si : Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Infermieri dhe Farmaci. Unë mendoj se është një arritje e jashtëzakonshme për universitetin Luarasi. Këto katër programe do të jenë funksionale këtë vit të ri akademik dhe presin që auditorët të mbushen me studentë në të gjitha programet e tij. Universiteti Luarasi ka përgatitur gjithçka që fakulteti të jetë gati në fillim të këtij viti akademik.”,-u shpreh gjatë intervistës prof. Et’hem Ruka, rektor i universitetit “Luarasi” për televizionin News24.
Profesor Ruka fton të gjithë maturantët të aplikojnë duke i siguruar se pas përfundimit të studimeve në fakultin e ri, do të jenë profesionistë të shkëlqyer.
“U drejtohem të gjithë maturantëve shqiptarë, të cilët janë përballë dilemave të mëdha, për të zgjedhur të ardhmen e tyre profesionale, të zgjedhin universitetin Luarasi, jo vetëm për fakultetet e konsoliduara të Drejtësisë, të Ekonomikut, të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit por dhe në fakultetin e ri të Shkencave Mjekësore. Është një privilegj shumë i madh për universitetin Luarasi, të marrë një përgjegjësi të tillë për përgatitjen e specialistëve në fushën e mjekësisë. Unë e di se preferencat e maturantëve shqiptarë janë shumë të larta për këto programe studimi, kjo më rezulton nga bashkëbisedimi që kam bërë më maturantët në mbarë hapësirën shqiptare edhe pse ka qenë një vit i vështirë pandemik, e di që shumë prej tyre kanë aspirata për tu bërë mjekë, stomatologë, farmacistë, infermierë. Mendoj se është një oportunitet shumë i mirë për të zgjedhur edhe universitetin Luarasi, është një mundësi e shkëlqyer”,-u shpreh prof. Et’hem Ruka, rektor i universitetit “Luarasi” për televizionin News24.
Pedagogë të fakultetit të Shkencave Mjekësore do të jenë disa nga emrat më në zë të mjekësisë shqiptare, me eksperiencën dhe dijet e tyre. Fakulteti i Shkencave Mjekësore është një prej mundësive të shumta të studimit pranë Luarasit. Zgjedhja mes katër programeve do u mundësojë të rinjve një karrierë domethënëse, e cila është e plotësuar veçanërisht nga sfidat, mundësitë dhe shpërblimet që ofron ky rrugëtim.



