Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në diskutim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kanë rënë dakord për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, lidhur me votën e diasporës.
Mes tyre është arritur dakordësia për të bërë ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor për të dhënë garanci që vota e emigrantëve të numërohet brenda afateve ligjore. Dokumenti me amendimet e propozuara nga KQZ ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të miratohet brenda javës së ardhshme duke hyrë në fuqi në fillim të muajit shkurt. Damian Gjiknuri jep detajet e këtij dokumenti të dakordësuar.
“Kemi rënë dakord që të afrojmë me 10 ditë afatin për regjistrimin e kandidatëve. Kjo do të mundësojë më shumë kohë siç ka kërkuar KQZ për printimin më të shpejtë të fletëve të votimit dhe dërgimin e partisë së parë drejt votuesve në diasporë. Marrin përsipër buxheti i shtetit të gjithë shpenzimet për dërgimin dhe ardhjen e zarfit me votën e diasporës. Fusin përbërjen politike edhe tek procesi i numërimit të votës së diasporë”,-u shpreh Gjiknuri.
Por palët kanë rënë dakord jo vetëm për ndryshime në ligjin elektoral, por dhe një akt normativ nga Këshilli i Ministrave që do të lejojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë pavarësisht se nuk kanë një dokument të vlefshëm identifikimi.
“Për votuesit që janë jashtë vendit ato mund të regjistrohen dhe të votojnë nëpërmjet këtij sistemi edhe me dokumente të skaduara”, tha Gjiknuri.
Por Gjiknuri e sheh si një propozim aspak realist, atë të bërë nga Partia Demokratike për të lejuar shqiptarët që jetojnë në diasporë të votojnë me dokumente biometrike, të lëshuara nga shteti ku ata jetojnë. Sipas Sekretarit Zgjedhor të Partisë Socialiste numri më realist i shqiptarëve që do të ushtrojnë të drejtën e votës nisur dhe nga sondazhet e tyre të brendshme nuk do t’i kalojë 200 mijë votues.
DOKUMENTI
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Titulli i nenit 25/1 riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
“Procedura e votimit nga jashtë”
Neni 2
Neni 25/1, pika 3, fjalia e parë riformulohet si më poshtë:
Neni 25/1
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
- Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin e fletës së votimi dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhen nga KQZ.
Neni 3
Neni 25/1, pika 4 shfuqizohet
Neni 4
Pas nenit 25/1 shtohet neni 25/2 me këtë përmbajtje:
Neni 25/2
Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ regjistrohen në një regjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.
- Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara nga KQZ numërohen dhe vlerësohen në vendin e numërimit të votave nga jashtë të caktuar nga KQZ.
- Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse.
- Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga KSHZ. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e pozitës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e opozitës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nent 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, KSHZ mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision.
- Për numërimin dhe vlerësimin e votave KSHZ cakton grupe numërimi të përbërë nga dy anëtarë. Një anëtar propozohet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe anëtari tjetër nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.
- Rregullatori, me propozimin e Komisionerit, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij neni.
/Gazeta Panorama