Nga Arian Galdini
Ka çaste kur kombet ndalen për të dëgjuar shpirtin e tyre.
Nesër, më 17 tetor 2025, Shqipëria do të ndalë frymën për një kujtesë të shenjtë, për të thënë se Liria nuk është as kujtim, as nostalgji, por frymë që duhet të mbrohet nga harresa.
Në sheshin “Skënderbej”, ku janë ndezur dritat e pavarësisë dhe janë mbajtur plagët e bashkimit, mijëra shqiptarë do të mblidhen për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët e Kosovës, jo për të kërkuar hakmarrje, por për të mbrojtur dinjitetin.
Sepse ka momente kur drejtësia s’është çështje gjykate, por çështje kujtese.
Ka momente kur një popull nuk del në shesh për të protestuar, por për të dëshmuar se ende mban frymën e Zotit në gjak.
Kjo protestë nuk është reagim, por rikthim i ndërgjegjes kombëtare në qendër të historisë.
Liria, për ne shqiptarët, nuk është datë në kalendar, por rit i trashëguar nga prushi i shekujve.
Ajo s’mund të jepet me dekret, as të gjykohet me aktakuzë.
Nga Rugova që e kërkoi me fjalë, te Jashari që e mbrojti me gjak, çdo brez shqiptar ka dhënë një formë të lirisë.
Dhe nesër, kur thirrja “Drejtësi për Çlirimtarët” të mbushë ajrin e Tiranës, nuk do të flasë politika, por kujtesa.
UÇK-ja nuk ishte vetëm një ushtri; ishte zëri i një kombi që refuzoi të vdiste.
Ishte thelbi i moralit shqiptar, të mos jesh i madh në forcë, por i drejtë në qëndresë.
Dhe nesër, kur flamujt të valëviten si kujtesa që s’pranon harresë, historia do të ketë një mundësi për t’u rishkruar me dritë.
Sepse ka kombe që protestojnë për pushtet, por shqiptarët dalin për kujtesë, për ta kujtuar botën se Liria nuk gjykohet.
Ajo ndodh, dhe vazhdon të ndodhë në çdo zemër që mban dritën e Zotit brenda vetes.
UÇK-ja është momenti kur historia shqiptare kaloi nga urtësia në sakrificë, nga fjala në veprim, pa e humbur kurrë shpirtin e arsyes. Ajo nuk lindi për të marrë pushtet, por për të shpëtuar qenien.
Ishte zëri i fundit të durimit, kur heshtja kishte marrë formën e turpit, kur çdo rrugë politike e kishte mbyllur dera, dhe vetëm ndërgjegjja kombëtare mbeti roje në pragun e jetës.
Në atë çast, UÇK-ja u bë trupi i asaj ndërgjegjeje, jo si ushtri e urrejtjes, por si besëlidhje e jetës.
Në thelb, UÇK-ja ishte Rugova që frymonte përmes Jasharit. Ajo nuk e mohoi pacifizmin, e mbajti brenda si kujtesë, por kuptoi se pa armë s’mund të mbrohej paqja.
Ibrahim Rugova ishte fjala që ruante shpresën, Adem Jashari ishte gjaku që ruajti nderin.
Njëri mishëroi arsyen, tjetri ndërgjegjen.
Dhe bashkë e formuan triadën e lirisë shqiptare, arsye, flijim dhe kujtesë.
Kjo është doktrina e re e neoshqiptarizmit, bashkimi i moralit me guximin, i humanizmit me sakrificën.
Në filozofinë e lirisë, ekziston një ligj i pashkruar, kush lufton për të mos vrarë, por për të mos u vrarë, nuk është ushtar, por dëshmitar.
UÇK-ja i dha këtij ligji trup e frymë.
Ajo i tregoi botës se vetëmbrojtja e një populli është akt hyjnor kur bota hesht para së keqes.
Nuk pati ambicje pushteti, as frikë humbjeje; ajo luftoi për diçka që nuk matet me fitore, për nderin e jetës.
Në çdo fshat ku flamuri i saj u ngrit, ndodhi një rilindje e ndërgjegjes kombëtare.
UÇK-ja e ktheu shqiptarin nga viktimë në subjekt historie, nga faj i imponuar në dëshmi të Zotit për lirinë.
Prandaj, ajo nuk është thjesht kujtesë e një lufte, por gjeneza e një morali të ri, morali i një populli që nuk e ul kurrë kokën, sepse di se mbi të, rri dora e Zotit dhe amaneti i lirisë.
Në Hagë, drejtësia është kthyer në një skenë të ftohtë burokratike, ku kujtesa përmbyset në procedurë.
Atje ku dikur dënoheshin gjenocidet, sot pyetet me ton zyrtar pse një popull nuk pranoi të vritej.
Zëri i lirisë dëgjohet me dyshim, ndërsa dosjet e hartuara nga aparate që kanë prodhuar dhunë pranohen si “prova”.
Ky është absurdi më i thellë i një bote që harron moralin e vet për hir të formës.
Nuk ka drejtësi kur dosjet flasin më fort se viktimat, kur varret masive që dëshmojnë krimin trajtohen si shënime dytësore.
Nuk ka drejtësi kur shenjat e kampit të dhunës vlerësohen më pak se një formulim procedural.
Drejtësia që mat dëshminë me minuta, por nuk mat plagën me ndërgjegje, e humbet peshën njerëzore.
Dhe në këtë humbje, ligji s’është më kujtesë e arsyes, por ritual i një shurdhërie morale.
Jashtë sallës së gjyqit, një grua e moshuar mban fotografinë e djalit të zhdukur dhe pyet: “Ku është varri?”
Brenda, forma vazhdon, asnjë përgjigje nuk jepet.
Në atë kontrast të heshtur, drejtësia e humbet kuptimin.
Sepse ligji që nuk di të dëgjojë dhimbjen, pushon së qenuri ligj dhe bëhet administratë e harresës.
Nëse vetëmbrojtja e një kombi vihet në të njëjtën peshore me agresionin shtetëror, prodhohet një barazi e rreme.
Drejtësia që barazon mbijetesën me dhunën, e zhvesh moralin nga kuptimi.
Hetimi i abuzimeve individuale është i domosdoshëm, por kur mbrojtja e jetës trajtohet si krim, drejtësia humbet busullën e vet.
Në filozofinë e lirisë, dallimi midis kujtesës dhe gjykimit është themelor, kujtesa ruan nderin, ndërsa gjykimi pa kujtesë kthehet në mekanizëm.
Dhe një mekanizëm pa shpirt, sado i përsosur të jetë, nuk mund të dallojë fajin nga heroizmi.
Kjo është arsyeja pse Gjykata Speciale në Hagë rrezikon të mos gjykojë më askënd, por të gjykojë vetë arsyen që një popull kishte për të mos vdekur.
Sepse kur drejtësia humbet busullën e saj morale, nuk mbetet më gjykim, mbetet vetëm harresë e strukturuar.
Dhe harresa është forma më e lartë e padrejtësisë.
Historia e Gjykatës Speciale për Kosovën është rrëfimi më i qartë i mënyrës se si një qytetërim që pretendon të mbrojë drejtësinë, bie në kurthin e vet moral.
Në përpjekjen për tu dukur neutrale, Europa zgjodhi të jetë indiferente, në përpjekjen për të dukur e drejtë, ajo zgjodhi të jetë e verbër.
Miratimi i raportit të Dick Marty në Këshillin e Evropës, më 2011, nuk ishte akt drejtësie, por simptomë e një dobësie, një Perëndim që kërkonte të balancojë viktimën dhe agresorin, duke e zhdukur dallimin midis tyre.
Kështu u krijua iluzioni se drejtësia mund të ruhet duke humbur shpirtin.
Në emër të “balancës”, Europa e vendosi në të njëjtën peshore projektin shtetëror të dhunës dhe aktin e vetëmbrojtjes së një populli.
Ky është relativizëm etik i institucionalizuar, një formë e sofistikuar e harresës morale, ku ligji shndërrohet në formë pa përmbajtje, dhe e vërteta bëhet dekor që nuk peshon më asgjë.
Kant do ta kishte quajtur “rënien e arsyes praktike”, sepse ligji pa moral është një boshllëk i hijshëm, i veshur me procedura.
Gjykata që sot gjykon çlirimtarët e Kosovës është paradoks i vetë Perëndimit, ajo gjykon ata që realizuan arsyen morale të ndërhyrjes perëndimore të vitit 1999.
NATO hyri në luftë jo për territore, por për jetë njerëzish; për të ndalur spastrimin etnik, për të mbrojtur lirinë e një populli të pafajshëm.
Por sot, me gjykimin e UÇK-së, Perëndimi duket se po gjykon vetveten, po i heq arsyes së vet kauzën morale.
Në thelb, ky është gjykim kundër kujtesës. UÇK-ja nuk po gjykohet pse ka vrarë, por pse ka jetuar.
Sepse guximi për të ekzistuar u bë krim në një botë që e mat jetën me raport dhe nuk e kupton më sakrificën si akt moral.
Gjykata Speciale nuk është dritë drejtësie, por pasqyrë e një frike, frika e Europës për t’u përballur me faktin se një popull i vogël, në periferi të saj, e përmbushi me gjak premtimin që ajo vetë kishte harruar, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Ky është dështim doktrinor, jo thjesht juridik. Sepse një civilizim që barazon mbrojtjen me dhunën, shkon drejt vetë-shkatërrimit moral.
Perëndimi, që dikur e kishte guximin të ndërhynte në emër të së mirës, tani kërkon të justifikohet duke gjykuar të mirën.
Në këtë gjykim të përmbysur, Europa nuk gjykon UÇK-në; ajo gjykon kujtesën e vet, ndërsa bota e shikon se si një sistem që shpiku drejtësinë po harron kuptimin e saj.
Në fund, historia do ta mbajë mend këtë gjykatë jo për vendimet që dha, por për turpin që prodhoi.
Sepse çdo herë që drejtësia ndahet nga morali, ajo pushon së qeni Perëndim, dhe kthehet në një harresë që e dënon vetveten.
Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy realitete të ndara me kufij, por dy forma të së njëjtës ndërgjegje.
Njëra është kujtesa, tjetra është dëshmia. Njëra ruan fjalën, tjetra flijimin.
Si dy sy të një shpirti që sheh në drejtime të ndryshme, por sheh të njëjtën dritë.
Rrënjët janë të përbashkëta, dhe fryma që i mban gjallë është e njëjtë, ajo e njeriut që nuk pranon të jetojë pa dinjitet.
Rugova dhe Jashari nuk ishin kundërshti, por dy metoda të së njëjtës domosdoshmëri.
Rugova përfaqësonte urtësinë që pret, Jashari sakrificën që vepron.
Në mes të tyre qëndron shpirti shqiptar, i cili di të durojë dhe di të flijohet, por asnjëherë të nënshtrohet.
Ky binom është aksi moral i neoshqiptarizmit, liria si përbashkim i mendjes me guximin, i durimit me veprimin.
Në atë harmoni qëndron sekreti i kombit tonë, ne dimë të presim pa u përkulur dhe të luftojmë pa urrejtur.
Shqipëria, si amë e kujtesës, dhe Kosova, si amë e sakrificës, janë dy gjysma të një harte shpirtërore që shtrihet përtej politikës.
Nuk janë dy shtete që kërkojnë drejtësi, por një ndërgjegje që kërkon kuptim.
Kjo është arsyeja pse çdo përçarje midis tyre është artificiale, çdo polemikë është kalimtare.
Sepse shpirti që i bashkon nuk është interes, por amanet.
Dhe amaneti i lirisë nuk ndahet, as në gjak, as në frymë.
Në një botë që ndan kufijtë për t’i harruar popujt, ne ruajmë kujtesën si urë.
Uniteti ynë nuk është gjeografik, por moral. Ai matet me mënyrën si e mbrojmë njëri-tjetrin kur drejtësia bie në gjumë.
Sa herë që kujtesa jonë bashkohet, harresa e të tjerëve rrëzohet.
Sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy sy që shohin një të ardhme të përbashkët, dhe drita e tyre buron nga i njëjti Zot i Lirisë.
Perëndimi, dikur busull morale e njerëzimit, sot ndodhet përballë një pasqyre të zymtë ku shfaqet fytyra e vet e lodhur nga moralizmi pa moral.
Megjithatë, një dritë e re ka nisur të ndizet në horizontin perëndimor, një dritë që vjen nga Amerika, siç ka ardhur gjithmonë kur bota ka qenë në prag të harresës morale.
Amerika, me gjithë dallgët e saj politike, mbetet mikja e shpëtimit, forca që ndalon katastrofën dhe e kthen historinë në ndërgjegje.
Ajo që ndodhi në vitin 1999 nuk ishte thjesht një ndërhyrje ushtarake, por një ndërhyrje shpirtërore, një popull i vogël u shpëtua nga shfarosja, dhe Liria, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, mori kuptim në Ballkan.
Pas paqes së madhe të shpallur në Sharm El Sheikh, Amerika e re, ajo që po rilind nën udhëheqjen e Presidentit Trump, mund të rikthejë atë ndjenjë drejtësie të gjallë, të pakorruptuar nga burokracia.
Trump e kupton se paqja nuk është pakt diplomatësh, por vendim për ta kthyer fuqinë në drejtësi.
Ai e kupton se Perëndimi nuk ruhet me konformizëm, por me guxim moral.
Në një botë që po lodhet nga fjalët e sheshta të institucioneve, Amerika sërish është gati të flasë me gjuhën e veprës, me realizëm, por edhe me shpirt.
Dhe në këtë moment të ri global, shqiptarët, si populli më proamerikan në Europë, shohin me shpresë drejt asaj që po rilind, një Perëndim që kthehet tek parimet e tij të themelimit, jo tek formularet e harresës.
Ndërsa Europa, e mbërthyer në burokracitë e veta, e ka kthyer kujtesën në formular dhe ndërgjegjen në procedurë, Amerika ruan ende frymën e Zotit në politikë, atë frymë që e dallon civilizimin nga komoditeti, moralin nga indiferenca.
Në korridoret e Brukselit flitet për “neutralitet”, por neutraliteti para së keqes është forma më e heshtur e fajit.
Kur një popull që u gjykua për mbijetesë akuzohet për ekzistencë, kontinentet bien në krizë, dhe vetëm Amerika, me instinktin e saj të lirisë, kujton arsyen pse ekziston, për të mbrojtur jetën, për të mos lejuar që e vërteta të zëvendësohet nga burokracia.
Në një raport të OSBE-së shënohet një datë, një fshat, një varr i hapur.
Një nënë kërkon eshtrat e të birit, ndërsa në anën tjetër të kontinentit një sallë e ndriçuar debaton termin “proporcionalitet”.
Kjo është Europa që rrezikon ta humbasë shpirtin, sepse aty ku gurët e kujtesës flasin, fraza e ligjit duhet të heshtë.
Ligji që nuk njeh nënën që kërkon varrin e të birit, nuk është ligj, është teknologji e harresës.
Por Amerika e di që drejtësia fillon aty ku njeriu mban kujtimin gjallë.
UÇK-ja mbetet rasti më i pastër i një force që ringriti të drejtën për të jetuar në zemrën e Europës.
Ajo nuk kërkoi hakmarrje, por jetë.
Dhe sot, kur bota po hyn në një epokë të re paqeje dhe riformimi moral, është Amerika që mund ta rikthejë dinjitetin e kësaj historie.
Nëse Trump, siç ka paralajmëruar, dëshiron të ndërtojë një Perëndim të fortë, të drejtë dhe të pastër nga relativizmi, atëherë çështja e Kosovës mund të bëhet provë e madhe e rikthimit të moralit perëndimor.
Sepse UÇK-ja nuk është plagë e së kaluarës, por dëshmi e gjallë e së ardhmes që Amerika ndihmoi të lindë.
Ne, shqiptarët, nuk kërkojmë mëshirë, as amnisti morale.
Kërkojmë respekt për të vërtetën e mbijetesës, për nderin që nuk iu përkul dhunës.
Sepse drejtësia që e sheh popullin që mbijeton si të dyshimtë, është drejtësi që ka harruar pse u shpik.
Dhe kur Perëndimi harron këtë, vetëm Amerika mund ta kujtojë:
Liria është kujtesa e Zotit në tokë, dhe ajo ndriçon sërish, jo nga sallat e Brukselit, por nga drita që vjen përtej Atlantikut.
Liria nuk është shpërblim, as dhuratë që vjen nga duart e të fuqishmëve.
Ajo është frymë që lind në plagë, dritë që del nga dheu i përgjakur dhe bëhet kujtesë e Zotit në tokë.
Në çdo fshat të djegur të Kosovës, në çdo gur të rrënuar, në çdo varr pa emër, frymon një e vërtetë që asnjë gjykatë nuk mund ta ndalë: ky popull nuk u dorëzua.
Ai nuk luftoi për pushtet, por për të drejtën që të jetojë me dinjitet.
UÇK-ja nuk është thjesht emër i një ushtrie. Ajo është manifesti i vetëmbrojtjes njerëzore, zëri që Perëndimi e dëgjoi në momentin kur bota po e humbte kujtesën e vet morale.
Luftëtarët e saj nuk dolën nga urrejtja, por nga dashuria për jetën.
Ata nuk ishin bij të luftës, por bij të dhimbjes që nuk pranoi të bëhej heshtje.
Dhe pikërisht në këtë qëndron e vërteta e tyre e përjetshme:
UÇK-ja nuk kërkon falje, sepse nuk bëri asgjë që ta kërkojë.
As Serbia, as Europa nuk fitojnë nga dënimi i çlirimtarëve.
Një drejtësi që i ngatërron mbrojtësit me agresorët është drejtësi që ka harruar kuptimin e vet.
Kur ndëshkon ata që mbrojtën jetën, ligji bëhet pa shpirt, dhe peshorja e ndërgjegjes del nga horizonti i dritës.
Historia e njeh këtë gabim, ajo që ndëshkon lirinë, përfundon e dënuar nga kujtesa.
Kujtesa, ndryshe nga ligji, nuk mbyllet në dosje.
Ajo është gjyqi i përjetshëm i popujve.
Në të, dritat nuk i ndezin prokurorët, por zemrat e atyre që nuk harruan.
Dhe kur kombet harrojnë, kujtesa e Zotit fillon të flasë përmes atyre që vuajnë në heshtje, përmes atyre që flijuan pa e kërkuar lavdinë.
Ne, shqiptarët, nuk kërkojmë dashuri nga bota, por të vërtetën.
Nuk kërkojmë mëshirë, por respekt për ata që shpëtuan moralin e njerëzimit nga rrëzimi.
Kërkojmë që bota të mos harrojë pse nuk u dorëzuam, sepse dorëzimi do të kishte qenë fundi i shpirtit, jo vetëm i trupit.
Liria është kujtesa e Zotit në tokë.
Ajo nuk gjykohet, sepse është vetë drita që gjykon.
Dhe kur kjo dritë ndizet mbi Kosovë, ajo nuk ndriçon vetëm plagët tona, por ndërgjegjen e botës mbarë.
Sepse liria që lind nga gjaku i pafajësisë nuk shuhet kurrë, ajo vazhdon të rrezatojë, derisa drejtësia të kujtohet pse ekziston.
Epigram
Ligji pa kujtesë është formë.
Kujtesa pa të vërtetë është mjegull.
Liria i bën bashkë, ose bota fiket.
Dhe liria ka emër…