Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishe shkruar sot rreth takimit të ambasadorit të Britanisë së Madhe, Nicholas Abbot, me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zyret e këtyre të fundit.
Vuçiq kishte thënë se cilin shtet po e përfaqëson Kurti, duke vënë në pah praninë e flamurit shqiptar në zyret e këtyre të fundit. Ai madje kërkoi sqarime nga ambasadori britanik rreth fotos së tij afër Kurtit dhe flamurit. Gjithsesi ambasada e Britanisë i ka kthyer përgjigje Vuçiqit duke thënë se ata e kanë për detyrë që të takohen me liderët e partive dhe se nuk i vendosin ata kushtet e ambientit në të cilin takohen.
E anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, me anë të një shkrimi në profilin e tij në Facebook ka reaguar ndaj presidentit serb.
“Presidenti i Republikës së Serbisë ka shprehur shqetësim pse një subjekt politik në Republikën e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, ku unë bëj pjesë, në zyrat e saj mban flamurin shqiptar”, , ka thënë Aliu.
“Presidenti i Serbisë le të dijë se Kosova është demokraci, ku askush nuk i imponohet dot dikujt për identitetin apo simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti. Lëvizja i ka fituar zgjedhjet e do të qeverisë, në bashkëpunim me minoritetet e duke i çliruar ato prej shantazheve e instrumentalizimeve. Synim i yni është thellimi i demokracisë, lufta ndaj pabarazive, zhvillimi ekonomik dhe paqja. Këtë të fundit e kërcënon procesi intensiv i armatimit të Serbisë, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe mospërballja e Serbisë me të shkuarën e saj kriminale e spastruese”
Tutje ai e akuzoi presidentin serb se para disa muajve në qytetin e Mitrovicës mbajti një fjalim për Sllobodan Millosheviqin, presidentin famëkeq të ish-Jugosllavisë që inicoi spsatrimin etnik mbi popullin shqiptar dhe atij boshnjak.
“Aleksandar Vuçiqi i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për Milosheviqin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinjë”, shtoi Aliu. /Express/