Policia ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili lëvizte në kryeqytet me pistoletë me fishek në fole.
Në pranga ka rënë Silveste Sylaj, i cili u kap në rrugën “Ibrahim Rugova” duke lëvizur me këmbë me 1 pistoletë me fishek në fole, që e mbante në brez.
30-vjeçari, banues në Tiranë, me precendent të theksuar penal, rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për vjedhje me dhunë.
Në pranga ra edhe shoku i tij, 35 vjeçari Erjon Tafilaku, i cili shoqëronte të riun, për moskallëzim krimi.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”.
Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për vjedhje me dhunë.
Vihet në pranga dhe shoku i tij, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet pistoleta me municion luftarak.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në rrugën “Ibrahim Rugova”, shtetasin S. S., duke lëvizur me këmbë, me 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, që e mbante në brez.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit: S. S., 30 vjeç, banues në Tiranë, me precendent të theksuar penal dhe E. T., 35 vjeç, i cili shoqëronte 30-vjeçarin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.