Partitë politike e kanë afatin e fundit që sonte në orën 00:00 pas mesnate të dërgojnë koalicionet e tyre për t’u konfirmuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Në opinion deri më tani janë zyrtarizuar dy koalicione mes partive, PSD e AAK dhe NISMA e AKR, shkruan lajmi.net.
E pavarësisht përpjekjeve e takimeve të pa rreshtura, LDK e Vetëvendosje nuk kanë arritur të bijen në dakordim për arritjen e marrëveshjes për koalicion.
Sidoqoftë, asnjëri nga koalicionet e konfirmuara nuk është dorëzuar në KQZ.
Sipas të gjitha gjasave, partitë po presin edhe bashkimin e subjekteve të tjera në koalicion, e pastaj ato t’i dërgojnë në momentin e fundit në KQZ.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi, për lajmi.net la të kuptohet se koalicionit me AAK-në, nuk pritet t’i bashkëngjiten parti tjera.
“Nuk e kemi dorëzuar ende, nuk kemi asnje informacion për bashkimin e ndonjë partie tjetër”, ka thënë shkurt ajo.
Sidoqoftë, rrethanat ishin ndryshe para pak ditësh, kur nga AAK-ja dhe PSD-ja shpresonin se parti të tjera do t’i bashkoheshin këtij koalicioni.
Shkas për këtë u bë edhe fakti se partia e Shpend Ahmetit ka vetëm 25 kandidatë për deputetë në listën e përbashkët zgjedhore.



