LEXO TË PLOTË GAZETËN PANORAMA
Drejtoria e Tatimeve godet përmes bllokimit të llogarive bankare shoqërinë më të vjetër të birrës në Shqipëri dhe një nga tatimpagueset më të rregullta, e cila kontribuon me mbi 50 për qind të të ardhurave të Doganës së Korçës.
Hap pas hapi me shkeljet ligjore të Ermal Zhegaj, Brunilda Llaci, Armela Tafani dhe Ilir Binaj.
Letër e hapur drejtuar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, institucioneve të pavarura kushtetuese, përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë.
LETER E HAPUR
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Me një akt të paprecedentë, të ndërmarrë në kundërshtim me normat ligjore dhe procedurat administrative në fuqi, Drejtoria e Tatimeve ka vendosur bllokimin e llogarive bankare të shoqërisë “Birra Korça” shpk, si dhe kufizimin e aktivitetit të saj doganor, duke paralizuar “de facto” funksionimin e fabrikës simbol të birrës shqiptare.
Ky veprim ndaj një prej bizneseve më korrekte dhe më të rregullta në raport me detyrimet fiskale ndaj shtetit shqiptar, ngre shqetësime serioze mbi mënyrën e funksionimit të administratës tatimore dhe mbi sigurinë juridike të biznesit në Shqipëri.
Pasojat e këtij vendimi janë të rënda dhe të shumëfishta. Në prag të sezonit turistik, bllokimi i aktivitetit të “Birra Korça” dëmton jo vetëm kompaninë, punonjësit dhe familjet e tyre, por edhe interesin publik, konsumatorët, partnerët tregtarë dhe vetë të ardhurat e shtetit.
Në këtë situatë, ngrihen vetvetiu disa pyetje:
● A kemi të bëjmë me një veprim të motivuar politikisht?
● A kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash dhe abuzim administrativ?
● Apo kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm që cenon konkurrencën e ndershme dhe klimën e biznesit?
Koha dhe institucionet do të duhet të japin përgjigje për këto pyetje.
Përmes kësaj letre të hapur synojmë të informojmë opinionin publik dhe institucionet shqiptare e ndërkombëtare mbi atë që ne e konsiderojmë një seri shkeljesh procedurale dhe ligjore nga ana e administratës tatimore, duke paraqitur faktet, dokumentacionin dhe kronologjinë e ngjarjeve.
Kush është “Birra Korça”
Shoqëria “Birra Korça” shpk është kompania më e vjetër e prodhimit të birrës në Shqipëri, me një histori gati 100-vjeçare dhe një nga markat më të njohura shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
E themeluar mbi traditën e shoqërisë së parë shqiptare të prodhimit të birrës, “Birra Korça”, krijuar në vitin 1928, kompania përfaqëson sot një investim me vlerë rreth 50 milionë euro dhe kontribuon çdo vit me mbi 6 milionë euro detyrime fiskale në buxhetin e shtetit.
Shoqëria është anëtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe operon në fushën e prodhimit, tregtimit, importit dhe eksportit të birrës, me një rrjet të gjerë shpërndarjeje brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Bllokimi i llogarive bankare ka krijuar vështirësi serioze në:
● vijimin e procesit të prodhimit;
● ambalazhimin dhe shpërndarjen e produktit;
● pagesat ndaj furnitorëve;
● furnizimin me lëndë të parë;
● pagesën e akcizës, doganave dhe detyrimeve të tjera fiskale.
Duhet theksuar se procesi i prodhimit të birrës është një proces teknik që kërkon respektimin rigoroz të afateve të fermentimit dhe ambalazhimit, ku çdo ndërprerje shkakton dëme të pakthyeshme ekonomike.
Sipas vlerësimeve paraprake, dëmi ekonomik i shkaktuar tejkalon 2 milionë euro në muaj.
Gjithashtu, situata prek drejtpërdrejt mbi 135 punonjës dhe familjet e tyre, duke krijuar pasiguri për pagat, sigurimet shoqërore dhe stabilitetin ekonomik të tyre.
Historiku i bllokimit të llogarive
Më datë 24.04.2026, pa asnjë njoftim paraprak ndaj subjektit, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara pranë Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj bllokoi llogaritë bankare të shoqërisë “Birra Korça” shpk përmes shkresës nr. 5201 prot., datë 24.04.2026.
Pretendimi lidhej me një detyrim për tatimin mbi fitimin në vlerën 15,517,770 lekë, ndërkohë që shoqëria kishte nisur procedurat për lidhjen e një marrëveshjeje pagese me këste përmes kërkesës së datës 22.04.2026, për të cilën ende nuk kishte marrë përgjigje.
Këto veprime janë realizuar në shkelje flagrante të ligjit dhe në abuzim të detyrës të inspektorit Ermal Zhegaj dhe drejtoreshës Brunilda Llaci, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat administrative në fuqi.
Më datë 29.04.2026, “Birra Korça” realizoi pagesën e plotë të këtij detyrimi. Megjithatë, pavarësisht pagesës, llogaritë bankare nuk u zhbllokuan nga administrata tatimore.
Në vijim, administrata tatimore kërkoi edhe pagesën e detyrimeve për TVSH dhe sigurime shoqërore për periudhën mars 2026, ndonëse, këto detyrime nuk ishin ende të maturuara dhe nuk ishin kërkuar sipas procedurave ligjore.
Edhe këto detyrime u paguan nga kompania më datë 30.04.2026.
Më datë 05.05.2026, përmes një komunikimi elektronik, nga ana e znj. Brunilda Llaci, Drejtoreshë e Drejtorisë të Mbledhjes të Detyrimeve të Papaguara pranë Drejtorisë të Tatimpaguesve të Mëdhenj u ngrit një tjetër pretendim lidhur me një kontroll tatimor të vitit 2025, i cili ndërkohë ishte objekt shqyrtimi gjyqësor.
Shoqëria “Birra Korça” sqaroi se ky detyrim buronte nga një kontroll i vitit 2023, i cili është ankimuar në gjykatë dhe për të cilin Gjykata Administrative e Shkallës së Parë kishte vendosur shfuqizimin e detyrimit tatimor.
Shfuqizimi ndodhi pasi organi tatimor në mënyrë të pa kuptueshme kishte konsideruar lëndën djegëse si lëndë e parë e prodhimit të birrës.
Sipas komunikimit të administratës tatimore, Brunilda Llaci thekson se pezullimi i ekzekutimit të këtij detyrimi mund të realizohej vetëm:
● përmes një garancie bankare;
● ose me një vendim gjyqësor për pezullim ekzekutimi.
Në zbatim të kësaj kërkese, më datë 11.05.2026, “Birra Korça” dorëzoi garancinë bankare dhe dokumentacionin përkatës nga gjykata.
Pas kësaj, më datë 12.05.2026, u urdhërua lirimi i llogarive bankare.
Megjithatë, kufizimet në sistemin doganor vijuan, pasi administrata tatimore nuk procedoi me njoftimin përkatës ndaj autoriteteve doganore, pavarësisht kërkesave të përsëritura të subjektit.
Bllokimi i dytë i llogarive
Më datë 18.05.2026, shoqëria u njoftua përmes emailit se rezultonte me “detyrime tatimore të papaguara”, pa iu komunikuar:
● burimi i detyrimit;
● lloji i tatimit;
● periudha tatimore;
● apo detajimi i shumës së pretenduar.
Pas plotësimit të të gjitha kërkesave, pagimit të detyrimeve, vendosjes të garancisë bankare, kërkesave të Birra Korca për heqjen e kufizimeve në doganë, me e-mail të datës 18.05.2026 shoqëria njoftohet nga znj. Armela Tafani në pozicionin e Drejtoreshës të Drejtorisë të Mbledhjes të Detyrimeve të Papaguara pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve se: “Tatimpaguesi Birra Korca me NIPT J64103004E rezulton me detyrime tatimore të pa paguara”.
Pra, ky email bie në kundërshtim me ligjin nr. 9920 datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore Në Republikën E Shqipërisë” i ndryshuar, pasi nuk përcakton burimin e krijimit të detyrimeve tatimore, llojin e tatimit, vlerën e tij dhe periudhën tatimore.
Komunikimi bie në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Më datë 19.05.2026, “Birra Korça” iu drejtua me kërkesë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve , Ilir Binaj për sqarimin e situatës, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje.
Një ditë më pas, më datë 20.05.2026, shoqëria u njoftua për një tjetër shkresë për detyrime tatimore dhe gjoba, sërish pa specifikime të qarta mbi origjinën e detyrimeve.
Sipas kompanisë, pa respektuar afatet ligjore për kundërshtim apo shpjegime administrative, brenda të njëjtës ditë u procedua menjëherë me bllokimin e llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë.
Më datë 21.05.2026, “Birra Korça” kërkoi zyrtarisht takim sqarues me administratën tatimore përmes emailit, postës dhe sistemit C@TS, duke kërkuar:
● periudhën tatimore përkatëse;
● dokumentacionin mbështetës;
● aktin administrativ;
● dhe detajimin e plotë të detyrimeve.
Deri në momentin e publikimit të kësaj letre të hapur, kompania deklaron se nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe nuk është zhvilluar asnjë takim sqarues me administratën tatimore.
Sipas “Birra Korça”, kjo situatë bie ndesh me përcaktimet e ligjit për procedurat tatimore, i cili parashikon se duhet të kalojnë të paktën 10 ditë nga njoftimi i detyrimit deri në marrjen e masës së bllokimit të llogarive bankare.
Në rastin konkret, kompania deklaron se organet tatimore nuk kanë dhënë ende shpjegime të qarta mbi burimin e detyrimeve të pretenduara, pavarësisht kërkesave të përsëritura të subjektit.
(Në vijim të edicionit special të “Panorama” mund të ndiqni hap pas hapi kronologjinë e korrespondencës mes drejtorisë së Tatimeve dhe shoqërisë Birra Korça)


