Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në prag të largimit nga detyra, aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku strategji të reja janë paralajmëruar se do të aplikohen në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd.
E për t’u përgatitur për “betejën e fundit” të dialogut, diplomati sllovak takoi Emisarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili gjithashtu pritet të largohet nga pozita në kuadër të rotacionit diplomatik në shërbimin e jashtëm amerikan.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, njoftoi se emisarët janë koordinuar për strategjitë e reja për ta çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por asnjëri prej protagonistëve nuk ka zbuluar detaje shtesë.
“Diskutime të rëndësishme me Escobarin dhe Lajçakun. Ne koordinuam strategjitë për të çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA mbështet fuqishëm dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive”, shkroi O’Brien në platformën “X” të mërkurën.
E sipas diplomatit sllovak, i cili mban pozitën e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale që prej vitit 2020, rruga përpara në procesin e dialogut dhe çështjet tjera në Ballkanin Perëndimor ishin në fokus të diskutimit me O’Brienin e Escobarin.
“Kam kënaqësinë të takoj ndihmëssekretarin dhe zëvendësndihmësin sot në Uashington për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer midis BE-së dhe SHBA-së”, shkroi Lajçaku pas takimit.
Ndryshe, dy protagonistët kryesorë që aktualisht mbulojnë pjesën më të madhe të përpjekjeve evropiano-amerikane për “formulën e zgjidhjes” në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritet të marrin poste të reja diplomatike brenda pak javësh.
Lajçaku pritet të vazhdojë karrierën diplomatike në pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se brenda pak javësh Escobari do të marrë detyrë të re në shërbimin e jashtëm.
Sidoqoftë, ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun e Escobarin në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ndonëse procesi i dialogut mund të mbetet periferik për shkak të këtij rotacioni diplomatik, përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe SHBA-së pritet të vazhdojnë.
Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve nën mandatin e Lajçakut dhe Escobarit, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, dy diplomatët ende nuk kanë arritur t’i bindin palët ta zbatojnë të njëjtën.