Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën duke ftuar kandidatët që të shprehin interesin e tyre për një periudhë 20 ditore.
Argumentimi i dhënë nga kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, ishte se procesi i mëparshëm ka rënë pasi është legjislatura e re parlamentare dhe deputetëtëve që kanë firmosur mbështetjen e kandidatëve të mëparshëm.
Nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, e kontestoi rihapjen e procesit duke fajësuar mazhorancën për situatën e krijuar, si një praktikë të përdorur dhe për institucione të tjera të pavarura.
“Ne kemi kandidatë që nuk iu nënshtruan kurrë votimit dhe parlamenti nuk e mbylli atë procedurë,” argumentoi ai, duke e cilësuar situatën të dëmshme “për praktikën parlamentare”.
Ai po ashtu kërkoi që procesi të ruante traditën e mëparshme politike që opozita të ishte propozuese e kandidatit.
Por, mazhoranca socialiste lajmëroi të hënën se ishte e gatshme ta zgjidhte e vetme avokatin e ri që do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila qëndron në detyrë dhe pse i ka mbaruar mandati dhe ka qenë një propozim i opozitës.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha të hënën se duke qenë në kufinjtë e një shumice parlamentare prej 3/5-at, mazhoranca e tanishme do të bënte përpjekjet që deri për Krishtlindje të zgjidhte avokatin e ri.
Nga ana tjetër, ai bëri thirje për grupet parlamentare të opozitës që të ndërtonin një proces të përbashkët duke fajësuar pikërisht opozitën për dështimin e votimeve të mëparshme në Kuvend.
“Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën që ta mbajnë më peng 3 vjet zgjedhjen e Avokatit të Popullit,” apeloi Balla dhe shtoi se “tanimë nuk e kanë më as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse opozita nuk do dojë të bëhet pjesë, ne jemi detyruar që t’i japim Shqipërisë Avokatin e ri të Popullit”.
Për të votuar një emër duhet një shumicë prej 84 votash,një formulë që prej vitesh kishte imponuar një konsensus politik dhe i jepte opozitës të drejtën e propozimit të kandidatit.
Por, me fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit PS ka 83 mandate duke e bërë më të lehtë që të votojë e vetme për zgjedhjen e avokatit të ri.
Edhe pse gjatë 3 viteve ka pasur dhjetra kandidatë që janë vetëofruar për këtë detyrë dhe procedura ligjore ka shkuar deri në seancë plenare Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë një emër.
Në procesin e parë mazhoranca rrëzoi me votë në seancë plenare kandidatët e opozitës në procesin e parë, ndërsa në procesin e dytë kryetari i grupit socialist në atë kohë, Niko Peleshi, kërkoi shtyrjen e votimit deri në gjetjen e një konsensusi për emrin dhe asnjë prej kandidatëve të zyrtarizuar me mbështetjen e votave të deputetëve nuk u hodh në votim.
Sipas parashikimeve ligjore, vetëm kandidatët që marrin mbështetjen e 28 deputetëve do të kenë mundësinë të votohen në Kuvend dhe zgjidhet me 3/5 e të gjithë anëtarëve.
Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje./BIRN