Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka tronditur qytetin bregdetar të Sarandës mbrëmjen e së hënës, më 21 korrik. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 në lagjen nr. 3, ku një sasi tritoli ishte vendosur në një automjet të parkuar.
Burime zyrtare konfirmojnë se mjeti në fjalë është në pronësi të Klaus Jaçajt, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 17 korrik në Sarandë, ku dy të rinj mbetën të plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri.
Automjeti është shkrumbuar plotësisht si pasojë e shpërthimit, ndërsa për fat të mirë nuk ka raportime për të lënduar. Shpërthimi ka shkaktuar panik mes banorëve të zonës, të cilët dolën me shpejtësi nga banesat.
Policia dyshon se ngjarja lidhet me një akt hakmarrjeje, por hetimet janë ende në vijim për të zbardhur motivet dhe autorët e mundshëm.
Të dhëna mbi ngjarjen e mëparshme
Klaus Jaçaj rezulton i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur më 17 korrik, ku shtetasit Ernest Lama, 24 vjeç, dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, të dy nga Tirana, mbetën të plagosur rëndë pas një konflikti me armë zjarri.
Sipas hetimeve paraprake, për motive të dobëta, Jaçaj dhe disa persona të tjerë janë konfliktuar fizikisht me dy të rinjtë, ndërsa Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, dyshohet se ka qëlluar në drejtim të tyre, duke i lënë të plagosur. Zoto, 43 vjeç, është shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”.
Policia ka shpallur në kërkim edhe Erjon Canajn, 36 vjeç, vëllai i autorit të dyshuar, si dhe Artan Murtajn, 43 vjeç, për të njëjtën akuzë si Klaus Jaçaj: “Përkrahja e autorit të krimit”.
Të plagosurit ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Reagimi i Policisë
Në një njoftim zyrtar, policia bëri me dije se:
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025”.