Për secilën gënjeshtër që shpërndanë Serbia apo elementet e saj, diplomatët nga Kosova duhet të veprojnë me vendosmëri, qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime. Partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet. Kështu është thënë sot kryeministri Albin Kurti në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë publike, derisa potencoi se përballë sulmeve të vazhdueshme hibride dhe kinetike nga Serbia, ambasadorët e Kosovës duhet reaguar shpejtë dhe me mprehtësi.
“Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme sesa tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet me shteteve e popujve tanë. Komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm.
Heshtja mund të keqkuptohet dhe për më tepër i lë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave. Raportet që ju dërgoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të mprehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni më parë sesa gjatësia e dokumentit”tha ai.
Kryeministri shtoi se “përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtë dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.
Kurti iu drejtua diplomatëve kosovarë se provimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe politikës së jashtme, janë detyrë parësore për ata.
Ai tha se puna e ambasadorëve nuk është thjeshtë përfaqësim por edhe angazhim në fuqizimin e pozitës sonë.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri, qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndanë Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë. Në këtë pikë, duhet të jeni edhe aktiv edhe proaktiv dhe të kontribuoni në përgjigje të shpejta që duhet të ofrohen… Puna juaj nuk është thjeshtë përfaqësim por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Provimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe drejtat e njeriut janë parimet dhe vlerat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj, punën e të gjithë neve…Është përgjegjësi e juaja të tregojini historinë e popullit tonë, por edhe të mësoni e të kuptoni sa më mirë të mundeni historinë, kulturën dhe aspiratat e vendeve ku shërbeni…Aleanca, partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtete e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet. Të gjitha shtete NATO-s janë shtete ku ne përqendrohemi në intensifikimin e raporteve me ta”, potencoi Kurti.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nisi fjalimin e saj me liberalizimin e vizave, duke thënë se ky sukses është rezultat i Kosovës për të luftuar korrupsionin, gjë që partnerët ndërkombëtar e kanë njohur këtë përpjekje.
Ajo u ndal edhe te ndikimi i pasaportës së Kosovës dhe zgjedhjeve të përgjithshme që për herë të parë qytetarët do të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës.
“Ky hap forcon lidhjen midis Kosovës dhe qytetarëve të saj jashtë vendit. Një pjesë e kësaj konference do t’i kushtohet bashkëbisedimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bashkëbisedim ky jetik për të siguruar që ky proces do të zhvillohet me sukses dhe në përputhje të standardeve më të larta. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në adresimin e çdo detaji organizativ dhe në garantimin se çdo qytetarë pavarësisht vend ndodhjes së tij do të ketë mundësi që të shpreh votën e tij”.
Shërbimet për qytetarët në ambasada dhe qytetarët kanë parë lehtësira të dukshme nga lehtësimi i procedurave për dokumente deri te përkrahja për mërgatën tonë në raste emergjente. Kemi punuar për të qenë gjithnjë më pranë qytetarëve tanë jashtë vendit. Këtu kontributi i juaj është i jashtëzakonshëm që nga përmirësimi i klimës në raport me qytetarët që shfrytëzojnë shërbimet tuaja, po ashtu edhe në përmirësim të ambienteve të ndryshme, një prej shembujve është blerja e disa prej objekteve që janë Ambasada të Republikës së Kosovës si pronë e Republikës së Kosovës në shtetet ku ju përfaqësoni republikën dhe gjithashtu procedurat e finalizuar për disa nga ambasadat të reja që blihen së shpejti “, tha ajo.
Sipas saj, një prej prioriteteve mbetet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në fillim të mandatit tonë kjo dukej si një synim i largët por sot jemi një hap larg nga përmbushja e tij, dy hapat e rëndësishëm janë arritur, pranimet tona në aplikim si dhe kalimi i të gjitha fazave procedurave, madje edhe votimi me 80 për qind në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tani na ndan vetëm një hap i fundit për t’u bërë pjesë e kësaj organizate që forcon të drejtat e qytetarëve dhe pozitën tonë ndërkombëtare dhe është pikërisht procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ai që ka treguar se ambasadat tona, ambasadorët tanë, diplomatët e Republikës së Kosovës kanë një rrjet të fuqishëm me të cilin bashkëpunojnë ngushtë kur është fjala për interesin e përparimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare“, tha ajo.
Ajo shtoi se hapja e misioneve të reja në Kolumbi, Poloni dhe Malajzi, është një dëshmi se diplomacia e vendit tonë nuk njeh kufijtë dhe se çdo mision i ri është një mundësi për të sjellë përfitime të reja për qytetarët dhe vendin tonë.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu tha se sot përmes kësaj konference i jepet rëndësi e veçantë reflektimit mbi të arriturat dhe sfidat e diplomacisë, raporton kp.
Kryeziu potencoi se rëndësia e diplomacisë parlamentare nuk është vetëm një shtojcë në diplomacinë shtetërore, por një shtyllë e fuqishme e saj.
“Sot përmes kësaj konference i japim një rëndësi të veçantë reflektimit mbi të arriturat dhe sfidat e diplomacisë sonë më një fokus ndryshe në drejtimet ku mund të përforcohemi dhe të ndryshojmë pozitën ndërkombëtare. Dua të nis me rëndësinë e diplomacisë parlamentare. Ky dimension nuk është më një shtojcë në diplomacinë shtetërore por është një shtyllë e fuqishme e saj. Në vitet e fundit, Kuvendi i Kosovës ka ndërtuar rrjete bashkëpunimi me parlamente të vendeve të ndryshme, duke lobuar drejtpërdrejt për njohje të reja dhe përkrahje në forume ndërkombëtare”, u shpreh Kryeziu.