Policia e Kukësit ka vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim prej kohësh, i dënuar me mbi 11 vite burgim për trafikim të lëndëve narkotike.
I arrestuari është Edison Dobrushi, 28 vjeç, banues në fshatin Shëmri, Kukës. Ai ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për “Trafikim të lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Njoftimi i policisë
Kukës/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim.
I dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim, për tentativë për trafikim të lëndëve narkotike dhe për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, kapet në fshatin Shëmri, 28-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, lokalizuan dhe kapën shtetasin:
Edison Dobrushi, 28 vjeç, banues në fshatin Shëmri, Kukës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Shkodër.