Një kthesë e papritur është shënuar në rastin e grabitjes së përgjakshme të një 25-vjeçareje ukrainase, që ndodhi të premten e kaluar në Halkidiki të Greqisë.
Ndërsa fillimisht, një i arratisur shqiptar nga burgu i hapur Kasandrës, Ylli Shkalla, 27 vjeç, nga Tirana, u konsiderua si i dyshuari kryesor, analiza e gjurmëve të gishtërinjve zbuloi në fund se ai nuk ishte i përfshirë në këtë rast.
Prandaj, hetimi policor për të identifikuar dhe arrestuar autorin e krimit po fillon nga e para. Paralelisht edhe kërkimet për kapjen e shqiptarit, por jo për grabitjen e dhunshme, por për arratisjen, informon “Protothema”.
Grabitja e 25-vjeçares ndodhi brenda një banese me qira në zonën e Kypsës, në Kassandra të Halkidikisë.
Sipas informacioneve, gjithçka ndodhi afërsisht në orën 05:00 të pasdites së të premtes së kaluar, kur autori hyri me forcë në banesën ku po qëndronte 25-vjeçarja dhe pasi e goditi me thikë, i mori telefonin celular dhe 2000 euro.
Menjëherë pas kësaj, autori u largua, ndërsa e plagosura me origjinë nga Ukraina, u transportua me ambulancë të EKAB në spital.
Kurse Ylli Shkalla po vuante dënim në gjysmë liri në këtë burg bujqësor ku edhe punonte. Ai akuzohej prej vitit 2017 për të paktën 9 vjedhje të kryera në bashkëpunim.