Si pjesë e një iniciative për të bërë të njohur anembanë vizionin e shtetit turk për një botë më të drejtë dhe për reformimin e institucioneve që sigurojnë rendin ndërkombëtar, Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Republikës së Turqisë mbajti sot në Tiranë një panel.
“Një botë më e drejtë është e mundur” ishte tema rreth së cilës do të diskutohej, në kuadër të Forumit Publik Stratcom.
Materialin filmik në nisje të panelit e pasoi një përshëndetje me video e drejtuesit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, z. Fahrettin Altun.
Për të pranishmit, mes tyre ligjërues dhe diplomatë, një fjalë të shkurtër hapëse mbajti ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, vënës në pah i thënies epokale të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, se, “Bota është më e madhe se pesë”, një referencë për pesëshen e përhershme të vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe theksues i vullnetit të vendit të tij për të punuar për sigurimin e stabilitetit global.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, ishte midis panelistëve që shprehën pikëpamjet e tyre.
Në panelin e drejtuar nga prof. dr. Fırat Purtaş, fjalën e mori fillimisht ish-ambasadori i Shqipërisë në Turqi, z. Genci Muçaj, më pas, foli z. Alteo Hysi, drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim të Shqipërisë, e pastaj radha i erdhi z. Mehdi Gurra.
Kryetari i Fondacionit ALSAR tha në diskutimin e mbajtur nën titullin, “Reformimi i rendit global përballë atrofizimit të institucioneve ndërkombëtare”:
“Të nderuar pjesëmarrës!
Është nder dhe përgjegjësi e madhe të ndaj në këtë panel mendimet mbi sfidat dhe mundësitë në ndërtimin e një bote ku dinjiteti njerëzor dhe koncepti i së drejtës respektohen njëlloj për të gjithë. Në një epokë të karakterizuar nga transformime të shpejta politike, kulturore, teknologjike dhe ekonomike, është thelbësore të reflektojmë se si mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të tërë. Këto transformime kanë ritrajtësuar marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe ato të brendshme, duke i shkundur themelet e koncepteve të drejtësisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Aspirata për një botë më të drejtë është universale, por interpretimet e drejtësisë ndryshojnë ndjeshëm mes shteteve, kombeve, organizatave dhe institucioneve. Për disa shtete, një botë më e drejtë kupton respektimin e rreptë të sovranitetit kombëtar, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe parimin e barazisë midis kombeve të mëdha dhe të vogla. Kjo perspektivë shpesh thekson rëndësinë e një rendi botëror shumëpolar ku pushteti shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe asnjë shtet apo koalicion i vetëm nuk mund të imponojë në mënyrë të njëanshme vullnetin e tij. Veçanërisht e rëndësishme është kjo në kontekstin e shteteve postkoloniale që kanë përjetuar ndërhyrje dhe shfrytëzim të huaj. Trashëgimia historike e kolonializmit bën që shumë vende të kolonizuara gjatë historisë së tyre të jenë dyshuese ndaj ndërhyrjeve të udhëhequra nga kombe dhe shtete të fuqishme.
Nga ana tjetër, për shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, drejtësia është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qasjen e barabartë në burimet ekonomike dhe respektimin e standardeve dhe normave ndërkombëtare. Kjo pikëpamje mbështetet shpesh nga shtetet liberale demokratike dhe organizatat e të drejtave të njeriut që e shohin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave individuale si gurthemelin e një shoqërie të drejtë. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, mbetet një pikë referimi themelore për këtë perspektivë, duke theksuar universalitetin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut. Filozofi gjerman, Jürgen Habermas argumenton se një botë e drejtë duhet të bazohet në dialog gjithëpërfshirës dhe në një sferë publike ku të gjitha palët kanë qasje të barabartë për t’i shprehur pikëpamjet e tyre pa frikë nga shtypja apo përjashtimi. Pikëpamja e tij rezonon me nevojën për diplomaci të ekuilibruar dhe përfaqësim të drejtë në institucionet ndërkombëtare.
Kriza aktuale e multilateralizmit përbën një pengesë të rëndësishme për realizimin e një bote më të drejtë. Institucionet ndërkombëtare të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore duken gjithnjë e më të papërshtatshme për trajtimin e sfidave bashkëkohore, si tensionet gjeopolitike, dhe të plagëve të vjetra të mbyllura artificialisht dhe përkohësisht shumë kohë më parë.
Sistemi ndërkombëtar i sotëm ka dështuar t’i adresojë shumë nga këto sfida. Le të shohim disa shembuj:
1. Lindja e Mesme dhe Palestina. Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës zgjat që nga vitet ’40 të shekullit të kaluar dhe mbetet një nga sfidat më të vjetra dhe më të ndërlikuara të rendit ndërkombëtar. Ende nuk është arritur të sigurohet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për palestinezët, të cilët vazhdojnë të përballen me pushtimin, shpërnguljen dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore. Rezolutat e OKB-së, si 242 dhe 338, të cilat kërkojnë tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara, nuk janë zbatuar. Kjo tregon dështimin e sistemit ndërkombëtar në zbatimin e vendimeve të tij. Fuqitë e mëdha, si SHBA-ja dhe disa vende evropiane, shpesh e kanë mbështetur Izraelin në mënyrë të paekuilibruar, duke e bërë të vështirë arritjen e një zgjidhjeje të drejtë. Kjo tregon se rendi aktual botëror shpesh u shërben interesave të pakicës dhe jo të drejtësisë globale.
2. Ballkani: Bosnja dhe Hercegovina. Gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995, rendi ndërkombëtar nuk arriti t’i ndalonte masakrat dhe krimet kundër njerëzimit, duke përfshirë masakrën e Srebrenicës, ku më shumë se 8,000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë. OKB-ja dhe forcat ndërkombëtare nuk ndërmorën veprime të mjaftueshme për ta ndaluar këtë tragjedi. Edhe pse Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) u krijua për të gjykuar krimet e luftës, shumë nga përgjegjësit për krime të rënda nuk janë gjykuar ose janë liruar para kohe. Kjo tregon një mungesë të drejtësisë karshi viktimave. Marrëveshja e Dejtonit (1995) ndaloi luftën, por krijoi një sistem politik të ndarë etnikisht që ka të meta dhe nuk ka siguruar një paqe të vërtetë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Bosnjës.
3. Kosova, lufta e Kosovës (1998-1999). Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe kryen krime të rënda kundër popullsisë civile shqiptare, përfshirë shpërnguljen masive dhe vrasjet. Sistemi ndërkombëtar nuk ia doli t’i ndalonte këto krime në kohën e duhur. Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk është njohur nga të gjitha vendet dhe Kosova përballet ende me sfidat e marrjes së një vendi të plotë në skenën ndërkombëtare. Kjo tregon se rendi botëror nuk është i aftë t’i zgjidhë çështjet e pavarësisë dhe të drejtave të kombeve në mënyrë të barabartë. Dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina, kanë bllokuar përpjekjet për njohjen e plotë të Kosovës, duke treguar se interesat gjeopolitike vetjake pengojnë drejtësinë globale. Me një status të padefinuar përfundimisht, dhe në këmbë me një rezolutë të OKB-së, Kosova rrezikon së tepërmi, aq më tepër në paqartësinë e sotme të jashtëzakonshme. Politika europiane e ka sjellë Kosovën në pozitën ku do duhej të ishte Serbia, e akuzuar, jo si viktimë por si viktimizues! Në gjeopolitikën në lidhje me Ballkanin po fryjnë erërat e një kohe jo të largët, asnjëherë të mira kur janë lënë në punë të tyre.
Defektet e sistemit ndërkombëtar mund të shihen shumë lehtë në atë që po ndodh në Gaza. Përditësimi i fillimit të marsit të 2025-s paraqet një statistikë me mbi 48 mijë të vrarë në mbi 500 (511) ditë të brutalitetit ushtarak shtetëror izraelit. OKB-ja sot më shumë se kurrë po duket më tepër si një institucion muzeal se sa një instrument i mbrojtjes së stabilitetit ndërkombëtar. Paradoksi i punëve është aq ekstrem sa vetë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shpallur ‘non grata’ në Izrael! Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë asnjë vlerë imponuese, janë thjesht letra që shtojnë mospërfilljen. Këshilli i Sigurimit paraqet rastin më ekzemplar të stanjacionit të një formule që e pakta është krejt jashtë kohe dhe e dështuar në gjetjen e zgjidhjeve kudo ku ka konflikte.
Dhe nëse kalojmë në krizat humanitare, situatën e përshkruan të rëndë një material i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të nëntorit të vitit të kaluar, ku thuhet se këto kriza janë përshkallëzuar gjatë dekadës së fundit në shpeshtësi dhe intensitet. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UN OCHA), mbi 299 milionë njerëz janë pritur të kenë nevojë për ndihmë humanitare dhe mbrojtje në 2024-n, me një rritje të madhe nga vitet pararendëse.
‘OKB-ja nuk ia doli të japë zgjidhje konkrete për parandalimin e katastrofave të mëdha humanitare, veçanërisht në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, dhe fatkeqësisht nuk mundi të luajë rol efektiv në ruajtjen e paqes dhe sigurisë,’ deklaronte tri vjet më parë drejtori i Komunikimit i Presidencës Turke, Fahrettin Altun. Duke i përmendur tragjeditë humanitare në Bosnjë-Hercegovinë, Ruanda, Siri dhe Kosovë, ai tha në një panel në Paris se, ‘Përballë zhvillimeve në politikën botërore dhe ndryshimit në balancat e pushtetit në 30 vitet e fundit, organizata (OKB-ja) nuk është më e aftë të përmbushë funksionin e saj stabilizues.’ ‘Kombet e Bashkuara, me këtë strukturë, nuk janë në anën e të dobëtit, të viktimës, apo të të drejtit, por në anën e pesë anëtarëve të saj të përhershëm të fuqishëm. Me strukturën aktuale, OKB-ja nuk është në gjendje të ngrejë zërin kundër shtypësit,’ tha Altun.
Bota po rrëshqet me shpejtësi në pamundësi të plotë për t’u qeverisur me anë të një organizmi krejtësisht të atrofizuar dhe të pandjeshëm ndaj sfidave dhe padrejtësive të kohës. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Ashtu si në një shtëpi ku humb kontrolli dhe administrimi, nevojitet vendosmëri për t’i kthyer gjërat në rrugën e duhur, ose përndryshe zgjidhja është shpërbërja. Dhe shpërbërja nuk mund të çojë pastaj pa luftë te një tjetër rend, më i drejtë dhe më aktual. Bota është në zgrip të luftës!
Shembujt e përmendur theksojnë nevojën për reforma rrënjësore në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe krijimin e mekanizmave më efektive për ndërhyrjen në krizat humanitare.
Paraliza e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku fuqia e vetos së pesë anëtarëve të përhershëm shpesh bllokon veprime kuptimplota, e ilustron këtë krizë. Si rezultat, shumë shtete dhe aktorë joshtetërorë kanë shprehur zhgënjimin në rritje me rendin ekzistues ndërkombëtar. Nëse e pranojmë si të përkryer këtë mekanizëm ndërkombëtar aktual, a duhet të jenë fatet e kombeve dhe kërkesave të tyre në duart e vetëm pesë shteteve?
Nevojiten reforma gjithëpërfshirëse për trajtimin e këtyre sfidave. Zgjerimi i Këshillit të Sigurimit, për të përfshirë më shumë zëra përfaqësues nga Afrika, Amerika Latine, Azia, dhe Organizata e Konferencës Islamike, dhe rishikimi i sistemit të vetos, për të parandaluar keqpërdorimin e tij, janë hapa thelbësorë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Një nga problemet më urgjente sot është natyra e vendimmarrjes në institucionet ndërkombëtare, e cila shpesh karakterizohet nga mungesa e përfaqësimit të drejtë dhe e mekanizmave që përjashtojnë shumicën e shteteve dhe popullsive. Por edhe proceset e vendimmarrjes në institucione si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore janë kritikuar për dominimin nga disa vende të fuqishme, duke rezultuar në politika që ndonjëherë i përkeqësojnë pabarazitë në vend që t’i lehtësojnë ato.
Paralajmërimi i dijetarit Gazali, se ‘pushteti pa drejtësi është tirani dhe drejtësia pa pushtet është iluzion’, nënvizon rreziqet që mbart një sistem ku pushteti është i përqendruar në duart e pak njerëzve, pa kontroll dhe balanca efektive, ashtu sikur është e pavlefshme edhe një drejtësi zëri i së cilës nuk dëgjohet apo nuk përfillet prej askujt.
Një konsideratë thelbësore në reformimin e proceseve të vendimmarrjes është përfaqësimi i drejtë i shteteve dhe i popullsive, dhe fuqizimi i komuniteteve lokale dhe i organeve rajonale për të pasur fjalën e tyre në vendimet që i prekin drejtpërdrejt ato, duke rritur legjitimitetin dhe efektivitetin e strukturave qeverisëse.
Roli i Turqisë si model i një fuqie të mesme në rendin e ri global
Në kontekstin e një rendi global multipolar që po formësohet si rezultat i krizës së multilateralizmit dhe pabarazisë së sistemit ndërkombëtar, fuqitë e mesme po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë në arenën globale. Turqia është një nga shembujt më domethënës të zhvillimit dhe rritjes nga një fuqi rajonale në superfuqi globale, që ka arritur të forcojë ndikimin e saj përmes një politike të jashtme autonome, diplomacisë aktive dhe përdorimit strategjik të fuqisë së butë.
Pozicioni i saj gjeostrategjik, që lidh Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, i jep Turqisë një avantazh të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Në vitet e fundit, ajo ka ndjekur një qasje më të pavarur në politikën e jashtme, shpesh duke sfiduar aleatët e saj tradicionalë në NATO dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me aktorë si Rusia, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore. Kjo strategji i ka mundësuar Turqisë të pozicionohet si një ndërmjetëse kyçe në konflikte të ndryshme, nga lufta në Ukrainë deri te tensionet në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz.
Një aspekt tjetër kyç i fuqisë së saj është diplomacia rajonale dhe globale. Përmes iniciativave diplomatike, Ankaraja ka zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, Afrikë, Azinë Juglindore dhe Kaukaz, duke promovuar një model të diplomacisë gjithëpërfshirëse dhe shumëplanëshe. Po ashtu, Turqia ka përdorur fuqinë e saj të butë për të promovuar integrimin politik dhe bashkëpunimin ekonomik midis vendeve me të cilat ka lidhje historike, kulturore dhe fetare.
Në një rend botëror që po largohet nga dominimi i njëanshëm i fuqive të mëdha, modeli i Turqisë si një superfuqi e re ilustron sesi shtetet mund të përdorin diplomacinë, ekonominë dhe fuqinë e butë për të rritur ndikimin e tyre dhe për të luajtur një rol aktiv në formësimin e ekuilibrave globalë. Kjo tendencë tregon se superfuqitë e reja nuk janë më thjesht aktorë periferikë, por kontribues të rëndësishëm në një rend të ri botëror më të decentralizuar dhe më multipolar.
Turqia, si vend me zë gjithnjë e më me peshë e të dëgjueshëm në arenën ndërkombëtare, dhe si një aktor me fuqi të madhe stabilizuese në rajon e më gjerë, e ka bërë përmes presidentit Recep Tayyip Erdoğan filozofi të saj reformimin e institucioneve ndërkombëtare karshi sfidave të kohës, posaçërisht të OKB-së, me thënien e mirënjohur të tij se, ‘Bota është më e madhe se pesë’, duke iu referuar anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Fjala e presidentit Erdoğan në hapjen e sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në shtatorin e vitit 2024 ishte një tjetër manifestim i qëndrimit të qartë dhe të vendosur të tij mbi nevojën për ndryshimin e sistemit qeverisës global për shkak të padrejtësive dhe mungesës së funksionalitetit. ‘Në Gaza nuk po vdesin vetëm fëmijët, por dhe sistemi i Kombeve të Bashkuara,’ deklaroi presidenti Erdoğan, duke pyetur, ‘A nuk janë krijesa njerëzore ata në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar? A nuk kanë të drejta fëmijët në Palestinë?’
Përpjekja e Turqisë, posaçërisht e presidentit të saj, për një proces reformues të Këshillit të Sigurimit në lidhje me anëtarësinë dhe votimin vë në pah dështimin e përgjegjësisë parësore të OKB-së për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. ‘Bota është më e madhe se pesë’ nuk duhet parë si një qasje sfiduese, por më tepër si një kujtesë se sistemi i qeverisjes globale është në agoni dhe kërkon me patjetër reformim për të shmangur më të keqen. Zëri i presidentit Erdoğan është në këtë kontekst avangardë e nevojës së ngutshme për ndryshim përpara se një luftë e tretë botërore të bëhet realitet i pashmangshëm.
Të nderuar pjesëmarrës!
Përfundimisht, dëshiroj të theksoj se ndërtimi i një bote më të drejtë kërkon një përpjekje kolektive që i kapërcen kufijtë kombëtarë, dallimet kulturore dhe adresimin e plagëve historike; kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që i merr në konsideratë sfidat politike, sociale, kulturore dhe teknologjike në një mënyrë të integruar. Duke përqafuar koncepte që e kanë dinjitetin njerëzor në zemër të tyre dhe duke promovuar vendimmarrjen gjithëpërfshirëse, ne mund të ndikojmë pozitivisht për një botë më të drejtë dhe më njerëzore – botë që fillon me njeriun dhe mbaron me njeriun.
Në këtë përmbyllje të fjalës time desha të hedh një vështrim retrospektiv në historikun e marrëdhënieve ndërkombëtare. Shqipëria e kishte propozuar futjen e Kinës në OKB qysh në vitin 1963, me cilësinë e anëtares së kësaj organizate, në të cilën aderonte nga viti 1955. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo kishte luftuar pandërprerë për të arritur në një sukses nga pikëpamja e teknikave juridiko-diplomatike, derisa rezoluta për pranimin e Kinës në OKB u miratua më 25 tetor 1971, gjatë sesionit të 26-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Shifrat dëshmojnë se në fund ajo mori plot 76 vota pro, 35 kundër dhe 17 abstenime. Por ajo rezolutë nuk ishte e vetmja, ishte e teta në radhë përgjatë këtij harku kohor. Por rëndësi kishte që ishte përmbushur kuorumi i nevojshëm për pranimin e saj, me dy të tretat, sipas rregullave e praktikave strikte të OKB-së.
Në këtë kontekst, do të propozoja që në kuadër të marrëdhënieve të partneritetit strategjik do të ishte në nderin e autoriteteve dhe diplomacisë shqiptare marrja në konsideratë e një nisme të ngjashme diplomatike për ta mbështetur statusin e Turqisë si një fuqi globale në një rend të ri botëror.
Theksojmë se asnjë vend ose grup nuk mund të ndërtojë një botë të drejtë vetëm. Kjo kërkon një përpjekje të përbashkët. Ndërtimi i një bote më të drejtë nuk është një ëndërr e pamundur. Veç kërkon përpjekje të përbashkëta, nga reformat në institucionet ndërkombëtare deri te fuqizimi i shoqërisë civile. Siç ka thënë Nelson Mandela, ‘Bota nuk do të jetë kurrë e drejtë derisa të gjithë të jenë të lirë dhe të barabartë.’
Le të mos harrojmë se drejtësia nuk është thjesht një ide, por një veprim që kërkon përpjekje të përbashkëta. Le të fillojmë sot, sepse nesër mund të jetë shumë vonë.”
Në panel diskutuan dhe kryetari i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, z. Albert Rakipi, dhe pedagogu në Universitetin “Hasan Kalyoncu”, e njëkohësisht hulumtuesi në Fondacionin SETA, z. Murat Aslan.
“Shekulli i Turqisë”, një ekspozitë fotografike, u erdhi në ndihmë pjesëmarrësve për të parë arritjet e Turqisë në fusha të ndryshme. Dokumentari kushtuar piktorit të mirënjohur turk Devrim Erbil u shfaq për ndjekësit e panelit në sallë.