Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsi Çela, ka shprehur hapur kundërshtimin e tij ndaj draftit të ri të Kodit Penal, duke kritikuar mënyrën si është ndërtuar dhe mungesën e përfshirjes së prokurorisë në hartimin e tij.
Në një deklaratë për mediat, Çela tha se procesi duhej të kishte nisur me një analizë të qartë mbi problemet e kodit aktual, për të kuptuar pse ai është i pamjaftueshëm dhe cilat janë sfidat reale që duhet të adresohen.
“Unë mendoj që e rëndësishme mbetet pikënisja e procesit, duhet të kuptojmë pse ky kod që kemi është i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur sfidave që ka shoqëria dhe pasi të ishte bërë një analizë e tillë, të kishim një dokument cilësor… Fakti që një dokument i tillë mungon ndikon në produktin final i cili na është paraqitur sot dhe ky është problemi kryesor që ka projekti”, u shpreh ai.
Çela gjithashtu kritikoi përjashtimin e prokurorëve nga grupi i punës që hartoi draftin.
“Ne nuk kemi pasur një përfaqësues në grupin e punës. Ndaj dhe reagimi vjen pasi produkti është bërë i njohur nga ana e grupit të punës”, theksoi ai.
Sipas kryeprokurorit, drafti përmban nene konfuze dhe problematike që do të krijojnë vështirësi në përvetësimin dhe zbatimin e tyre nga magjistratët, duke sjellë pasoja direkte në ngadalësimin e proceseve gjyqësore dhe shtimin e paqartësive ligjore.