Katër shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga policia greke në ishullin e Mykonosit, të akuzuar për një seri vjedhjesh në vila dhe dhoma hoteli në zonat më turistike të ishullit gjatë gushtit.
Sipas njoftimit zyrtar, identifikimi i autorëve u bë falë kamerave të sigurisë që dokumentuan veprimtarinë e grupit. Vjedhjet ndodhën në zonat turistike si Elias, Halarës, Agrari, Linos, Paraga dhe Skalados, ku ata vepronin kryesisht gjatë natës.
Bilanci i grabitjeve (6–20 gusht):
• 10 vjedhje të suksesshme me thyerje
• 3 tentativa të dështuara
• Vlera e sendeve të grabitura: rreth 138,000 euro
Shënjestra ishin kryesisht vila dhe dhoma hotelesh të marra me qira nga turistë. Grabitësit hynin duke thyer dritare apo dyer ballkoni dhe vidhnin para, ora luksoze, bizhuteri, veshje dhe këpucë firmato.
Zbulimi i mallrave të vjedhura:
Një pjesë e sendeve ishte fshehur në çarje shkëmbinjsh për t’u ruajtur përkohësisht. Nga kontrollet, policia gjeti dhe sekuestroi:
• 3,395 euro dhe shuma në dollarë amerikanë dhe franga zvicerane
• Ora, bizhuteri dhe veshje firmato
• Katër celularë
• Rrobat dhe dorezat e përdorura gjatë grabitjeve
Disa nga sendet e vjedhura tashmë janë rikthyer tek pronarët legjitimë.
Të arrestuarit do të paraqiten nesër, më 26 gusht, para oficerit hetues për të dhënë dëshmitë e tyre. Hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe për të dokumentuar të plotë veprimtarinë e grupit kriminal.