Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Administratës Publike, veçanërisht Tatimoreve që të ndryshojnë qasje ndaj sipërmarrjes private, duke mos u shtruar presione ndaj bizneseve për të marrë në këmbim ryshfete dhe korrupsion.
Gjatë takimit një aktiviteti për punësimet dhe prezantimin e vendeve të reja, Rama paralajmëroi administratën që të ndryshojë qëndrim dhe të krijojë një klimë pozitive biznesi.
“Duhet një administratë e fortë, një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime.
Duhet një administratë absolutisht ndryshe nga ajo që kemi pasur deri disa vite më parë, që klima e biznesit të jetë pozitive, që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit, siç ka ndodhur deri jo shumë vite më parë dhe patjetër që duhet një administratë që është e mirë pozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë për t’ia dalë që në fund të ditës rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha më tej se: “Ne do të kemi një administratë dinjitoze e cila patjetër që do të fillojë të gëzojë gjithmonë e më shumë dhe respektin e qytetarëve shqiptarë”.


